“Gratë që i rezistuan diktaturës dhe internimit” Një dokumentar rrëqethës nga Armand Braho
Një rrëfim i guximshëm mbi të shkuarën e errët të Shqipërisë vjen, përmes dokumentarit “Gratë që i rezistuan diktaturës dhe internimit”, me autor gazetarin dhe juristin Armand Braho. Ky produksion sjell në dritë historitë e pathëna të grave shqiptare që përballuan regjimin komunist dhe internimin, në një nga kapitujt më të dhimbshëm të historisë sonë kolektive.
Përmes dëshmive autentike, intervistave me të mbijetuarat, dokumenteve arkivore dhe pamjeve të përzgjedhura me kujdes, dokumentari tregon jo vetëm vuajtjen e pafund të këtyre grave, por edhe qëndresën e tyre të jashtëzakonshme përballë dhunës shtetërore, izolimit dhe mohimit të dinjitetit njerëzor.
Ky projekt sjell një kujtesë të nevojshme për brezat e rinj, duke ndriçuar një të vërtetë historike që shpesh është lënë në hije. “Gratë që i rezistuan diktaturës” është një thirrje për reflektim mbi të drejtat e njeriut, fuqinë e gruas dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.
Dokumentari është realizuar në kuadër të programit të subgranteve të masterclass-it të projektit “Breaking the Moulds, Shaping the Future”, i zbatuar nga Albanian Women in Audiovisual në bashkëpunim me SCiDEV Center dhe financuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.