Universiteti “Fan S. Noli” në Korçë ishte ndalesa e radhës e projektit mbarëkombëtar “Thirre vendin tënd”, pjesë e nismës “Hapësira si kujtesë”, që po shtrihet me ritme të shpejta në të gjithë hapësirën shqiptare. Kjo iniciativë synon të risjellë në vëmendje kujtesën historike, gjuhësore dhe kulturore të komuniteteve shqiptare, duke e parë hapësirën jo vetëm si territor, por si dëshmi të gjallë të përkatësisë.
Në kuadër të këtij projekti, në ambientet e universitetit u zhvillua një tryezë e rrumbullakët mbi toponimet, ku u theksua se Korça mbart një trashëgimi të pasur emërtimesh vendore që kanë mbijetuar në shekuj, shpesh të paprekura nga ndërhyrjet moderne. Në qendër të diskutimit ishte mënyra se si komunitetet shqiptare i kanë emërtuar hapësirat përreth, jo si produkt i një procesi administrativ, por si një akt përjetimi dhe përkatësie.
U vu në dukje fakti se shumë emërtime vendesh ruajnë strukturën arkaike të shqipes, me fjalë që gjenden në forma të ngjashme në të gjitha trevat shqipfolëse, çka dëshmon një kujtesë të përbashkët gjuhësore. Emrat e vendeve shfaqen si pasqyrë e ndjesive, përvojave dhe rrëfimeve të trashëguara ndër breza, duke shërbyer si nyje identitare për komunitetet që i kanë krijuar.
Nisma “Thirre vendin tënd” synon të dokumentojë dhe përforcojë lidhjen midis gjuhës, historisë dhe identitetit lokal, duke e shndërruar hartën e toponimeve në një rrëfim kolektiv për mënyrën se si shqiptarët kanë jetuar, emërtuar dhe kujtuar hapësirën. Në këtë frymë, Korça pritet të ketë një rol të veçantë, si një prej zonave ku toponimia ka ruajtur më së shumti autenticitetin e saj.

