/ATSH/ Në Korçë është rritur numri i të rinjve të regjistruar në Shkollën Profesionale të Shërbimeve. Gjithashtu është rritur edhe numri i vajzave që zgjedhin arsimin profesional si rrugën e tyre për të ardhmen.
Drejtorja e shkollës, Tatjana Mero, në një intervistë televizive tha se, “nga viti në vit po shënohet rritje e numri të vajzave që regjistrohen në shkollën tonë. Këtë vit 35% e të regjistruarve ishin vajza”.
Mero shprehet se, shkolla zhvillon aktivitete të shumta informuese me nxënës të shkollave nëntëvjeçare për të shpjeguar drejtimet që ofron kjo shkollë, si dhe për t’i njohur nxënësit me profesionet që mund të përfitojnë në rast se do të zgjedhin të vijojnë aty studimet e mesme.
Një shembull e kësaj tendence është dhe Xhensila Mile, një prej nxënëseve që ndjek studimet në drejtimin Hoteleri-Turizëm dhe që aktualisht është e punësuar.
Mile tregon se, dëshira për kuzhinën i ka lindur në moshë të vogël, kur ishte 5-6 vjeçe.
“Kur pashë një ditë në televizor një kronikë për këtë shkollë më lindi direkt dëshira për ta ndjekur. Unë jam e punësuar dhe ajo që unë kam vlerësuar më shumë është se kam bërë prindërit krenarë duke nxjerrë jo vetëm shpenzimet e mia, por dhe i ndihmoj ekonomikisht ata”, tha ajo.
Shkolla Profesionale e Shërbimeve në Korçë ofron katër drejtime studimi: Hoteleri-Turizëm, Bujqësi, Veterinari dhe Ekonomi-Biznes, ndërsa ofron edhe drejtimin Dizejnim Mode.
Me qëllim nxitjen e nxënësve të klasave të nënta që të zgjedhin Shkollën Profesionale të Shërbimeve në Korçë për arsimimin e tyre, kjo shkollë ka organizuar një javë të hapur duke dhënë shumë informacione lidhur me drejtimet e studimit dhe përfitimet që do të kenë ata që do të zgjedhin të studiojnë në këto profesione.
“Qëllimi i këtyre takimeve është që të ndërgjegjësojmë gjithë komunitetin për rëndësinë e këtij profesioni, por dhe rritjen profesionale të gjithë vajzave”, thekson drejtorja e shkollës, Tatjana Mero.

