Shkrimtari dhe ish-drejtuesi i arsimit në Pogradec, Istref Haxhillari, ka publikuar librin e tij më të ri me titull “Misionarët”, një vepër e ndjerë dhe plot respekt, kushtuar figurave të spikatura të arsimit pogradecar ndër vite.
Në një postim të bërë publik, autori ndan frymëzimin e tij të thellë dhe personal për këtë memoar, duke theksuar se lidhja e tij me arsimin ka qenë e pandarë që nga fëmijëria.
“Misionarët”, libri i radhës me mësues të spikatur të arsimit në Pogradec.
Pse u shkrua ky memoar
E gjithë jeta ime është lidhur me arsimin. Respektin për shkollën ma kultivoi herët një burrë që nuk kishte shkuar kurrë në shkollë, që mësoi me të vjedhur disa germa sa për të lexuar gazetat e rralla, që punonte nga mëngjesi deri në darkë për të mbajtur familjen e shtuar me nëntë frymë.
E shihja të ndalonte para shkollës, të nxirrte kutinë e duhanit, të mbushte çibukun, ta thithte dy-tri herë, para se të vazhdonte rrugën për të korrur, pluguar, apo kositur. Atëherë e mendoja rit duhanpirësish, vonë e kuptova se qe shumë më tepër se aq: respekti gati hyjnor për shkollën, i njëjtë me faltoren e fshatit që do të prishej së afërmi.
Ky burrë ishte babai im.
Respektin për shkollën, mësuesit që udhëtonin dy e tre orë në këmbë çdo të hënë për të arritur në shkollat e largëta, nxënësit që vinin me duar të mardhura në godinat modeste të kohës, prindërit që i ndiqnin me sy mos rrëshqisnin rrugicave me baltë, e ruajta brenda vetes viteve kur punova mësues, drejtor, inspektor, shefi i seksionit të arsimit e kulturës së rrethit.
Atë respekt e ruaj të pacenuar edhe sot.
Si detyrim ndaj shkollës dhe misionit të shenjtë të mësuesit, vendosëm të ngremë këtë përmendore për individët e spikatur në vite. Secili prej personazheve të këtij libri është personalitet i papërsëritshëm, secili ka ngritur obeliskun e vet origjinal të pangjashëm me të tjerët. Nuk e dimë në kemi bërë më të mirën, por jemi të sigurt se do t’u lëmë brezave një thesar që do t’i mbijetojë kohës.”
– Istref Haxhillari
Libri “Misionarët” është më shumë se një vëllim kujtimesh. Është një akt nderimi për të gjithë ata që ndërtuan themelet e arsimit në këtë trevë, një thirrje për të mos harruar kurrë rrënjët tona dhe për të vlerësuar rolin e pazëvendësueshëm të mësuesit në formësimin e shoqërisë.

