Një përplasje e dhunshme mes disa të rinjve në fshatin Podgorie të Maliqit ka çuar në arrestimin e një personi dhe procedimin penal të katër të tjerëve. Ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta, ku gjatë shoqërimit, njëri prej të përfshirëve kundërshtoi me dhunë punonjësit e Policisë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq arrestuan në flagrancë shtetasin O. P., 24 vjeç, banues në Podgorie, dhe referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasit G. Q., 21 vjeç, K. Q., 20 vjeç, dhe R. D., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi dje, janë konfliktuar me njëri-tjetrin, për motive të dobëta. Gjatë shoqërimit, 24-vjeçari ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi penal për shtetasin A. P., 34 vjeç, vëllai i 24-vjeçarit, pasi në ambientet e jashtme të Komisariatit, ka tentuar të godasë me grushte shtetasit me të cilët ishte konfliktuar vëllai i tij.”
Policia e Maliqit ka ndërhyrë menjëherë për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.
Ky incident vjen pas një sërë ngjarjesh të ngjashme në zonën e Maliqit, ku konfliktet mes të rinjve kanë përfunduar me pasoja të rënda.

