Operacioni “Brothers” – Arrestohen dy vëllezër në Korçë për shitje kokaine, sekuestrohen 41.1 gramë lëndë narkotike
Policia e Korçës ka finalizuar me sukses një tjetër operacion antidrogë, duke goditur një rrjet shpërndarjeje të kokainës në lagjet dhe lokalet e qytetit. Operacioni policor i koduar “Brothers” erdhi pas disa muajsh hetime të thelluara me metoda proaktive, duke çuar në arrestimin në flagrancë të dy shtetasve, të cilët rezultojnë të jenë vëllezër dhe me precedentë penalë.
“Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar ‘Brothers’.
Shitnin doza kokaine në lagje dhe në lokale të ndryshme, në qytetin e Korçës, identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas (vëllezër).
Të arrestuarit, të dy të dënuar më parë, njëri prej tyre për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.”
Gjatë ndërhyrjes në lagjen nr. 14 në Korçë, Policia ndaloi automjetin me të cilin lëviznin dy të dyshuarit. Gjatë kontrollit fizik dhe në mjet, u gjetën doza të gatshme kokainë, ndërsa më pas, gjatë kontrolleve në banesat e tyre, u sekuestrua edhe një sasi tjetër e lëndës narkotike.
Të arrestuarit janë identifikuar si:
Renato dhe Albi Dishnica
- R. D., 30 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”;
- A. D., 24 vjeç, banues në Korçë, i dënuar më parë për “Drejtim të automjetit në mënyrë të parregullt”.
“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 41.1 gramë kokainë, 3 celularë dhe automjeti që këta shtetas përdornin për këtë veprimtari kriminale.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.”
Policia e Korçës thekson se operacionet për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike do të vijojnë pa ndërprerje, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese.

