Për MCN, Jaupllari: Vitet 2027-2029 vendimtare për integrimin në BE, synimi në Korçë është 7 me 3
Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet një nga shtyllat themelore të programit të Partisë Socialiste në këto zgjedhje. Kandidati për deputet në qarkun e Korçës, Arian Jaupllari, e konsideron periudhën 2027-2029 si moment kyç për rrugëtimin europian të vendit, duke vënë në dukje se në këtë fazë pritet që investimet nga BE për Shqipërinë të jenë në të njëjtin nivel me ato që përfitojnë vendet anëtare.
Në cilësinë e negociatorit për kapitullin 12 të procesit të anëtarësimit, Jaupllari vlerëson se kjo fazë do të jetë përcaktuese për ecurinë e mëtejshme të integrimit.
Duke folur për objektivat politike në qarkun e Korçës, ai e cilëson rezultatin aktual 6 me 4 si një formë barazimi mes palëve, ndërsa shprehet se synimi i Partisë Socialiste është ta thellojë avantazhin në raportin 7 me 3.
Sa i përket klimës zgjedhore, kandidati socialist e përshkruan fushatën si të qetë dhe entuziaste, pavarësisht disa vështirësive të hasura gjatë saj.
Në prag të 11 majit, Jaupllari u bën thirrje qytetarëve të mbështesin numrin 5 në fletën e votimit, duke shfaqur bindjen se do të jetë ndër përfaqësuesit e ardhshëm të qarkut të Korçës në Kuvendin e Shqipërisë.
Vetëm pak ditë para votimit, partitë politike po intensifikojnë fushatat dhe takimet në terren, me qëllim mobilizimin maksimal të elektoratit.

