Pogradeci, një vend i njohur për turizmin veror, ndryshimet në politikat e lejeve për vendosjen e shezlloneve në plazhet private kanë shkaktuar shqetësime mes bizneseve të vogla dhe individëve që tradicionalisht kanë ushtruar këtë veprimtari.
Sipas vendimeve të fundit të qeverisë, lejet për vendosjen e shezlloneve në zonat e plazhit u jepen vetëm subjekteve hotelerike. Kjo përjashton individët dhe bizneset e vogla që më parë kishin mundësinë të aplikonin për këto leje. Ata që tashmë janë përjashtuar nga kjo mundësi, thonë që në Pogradec lejen për shezllone po e marrin dhe hotele që ndodhen në periferi.
Një individ, duke kërkuar të mbetet anonim, shprehet: “Na shkatërruan, edhe një punë që bënim gjatë verës na i mbyllën, i’a kaluan të gjitha biznesmenëve të afërt me bashkinë dhe qeverinë. Tashmë po vijnë persona që kanë hotele, qoftë edhe në periferi edhe ata po marrin leje për shezllonat.”
Ky ndryshim ka ngjallur debate mbi ndikimin në ekonominë lokale dhe në mundësitë e punësimit për banorët që mbështeten në sezonin turistik për të siguruar të ardhura. Ndërsa autoritetet synojnë të rregullojnë dhe të formalizojnë shfrytëzimin e hapësirave publike, është e rëndësishme të merren parasysh edhe efektet që këto politika kanë në komunitetin lokal. Duket se këtë verë dhjetra familje që mbanin ekonominë e tyre nëpërmjet kësaj pune sezonale, nuk do kenë mundësi sivjet të punojnë, si rezultat i ndryshimit të rregullave.
Por duket që ata të cilët janë mjaftë të pasur në qytet, do të kenë mundësi sivjet të mbledhin dhe të ardhurat nga plazhet private, duke lënë në diell familjet që fitonin bukën e gojës nga kjo veprimtari.

