8.4 C
Pogradec
9.2 C
Korçë
8.4 C
Bilisht
7.6 C
Ersekë
8.8 C
Maliq
8.9 C
Liqenas
Friday, January 16, 2026

Editorial/ Opozita në hije, pushteti në “dritë”. Opozitarizmi i munguar elektoral…

- Advertisement -

Në një nga qarqet më të mëdha dhe politikisht më të rëndësishëm të Shqipërisë, Partia Demokratike duket se ka zgjedhur të bëjë një fushatë… për veten. Jo për qytetarët e Maliqit, Devollit, Kolonjës, Pustecit, Pogradecit apo Korçës. Jo për të adresuar papunësinë, shpopullimin apo mungesën e investimeve. Por një garë e brendshme mes kandidatëve të listës së hapur, të cilët më shumë po i shërbejnë konkurrencës së egos personale, sesa ndërtimit të një alternative politike që grumbullon vota për opozitën.

Në bashki të tëra të qarkut aty ku qeverisja vendore është kthyer në një strukturë të pashqetësuar pushteti dhe ku partia në pushtet ka avantazh absolut, PD-ja është jo thjesht e dobët, por shpesh e padukshme. Me takime të vogla, ku flitet për kandidatët. Në shumë zona nuk ka ende denoncime konkrete për abuzime, përkundër pakënaqësisë reale të komuniteteve me administratën. Sot më shumë se kurrë, kur pakënaqësia kundër pushtetit është masive, nuk po kanalizohet kjo pakënaqësi si forcë për opozitën. Në disa bashki rrezikon të mos ketë as komisionerë opozita në 11 maj. Një precedent që e çon opozitën në kufijtë e papërgjegjshmërisë politike, për shkak të arratisjeve dhe keqmenaxhimit elektoral.

Në vend që të mobilizojë votuesit, të organizojë takime publike masive, të ngrejë një mekanizëm antipatronazhimi, të përplaset me realitetin në terren, PD në qarkun e Korçës po vepron sikur të ishte një klub lokal debatesh, një “konkurs bukurie” mes emrash që, për një pjesë të madhe të publikut, janë të panjohur ose të pashoqëruar me ndonjë kontribut të dukshëm publik, padyshim mes tyre ka dhe figura politike të së djathës, por që nuk mjaftojnë në këtë garë kur PS pretendon të marrë 7 mandate në qark. Lista e kandidatëve është ndoshta më e dobëta që kjo forcë politike ka paraqitur ndonjëherë në këtë qark, e mbushur me figura të zbehta, emra pa kauza dhe pa zë. Madje ka dhe nga ata kandidatë që në rrjetet e tyre sociale, minimumi nuk kanë postuar një poster elektoral ku t’i bëjnë thirrje qytetarëve për t’i votuar.

Fotografia që qarkulloi së fundmi në rrjetet sociale, ajo ku zyra e PD-së në Pogradec ndodhet një kat mbi zyrën e ndriçuar të PS-së, është thjesht simbolika vizuale e një realiteti më të thellë: opozita në hije, pushteti në dritë. Dhe jo sepse PS-ja po bën ndonjë fushatë brilante dhe jo se po ofron ndonjë strategji apo program, apo dhe jo se i ka ofruar shumë qytetarëve në 12 vite, por sepse PD-ja nuk po bën asgjë. Po e lë terrenin bosh.

Në kushtet kur shpopullimi ka gjymtuar strukturat organizative, kur besimi te politika është i rrënuar dhe kur qytetarët kërkojnë një shpresë të re, PD-ja në Qarkun Korçë po hesht. Po i shmanget detyrës për të qenë zë i atyre që s’kanë zë, për të denoncuar, për t’i përballur para ligjit funksionarët që kanë abuzuar në nivel qarku. Dhe kështu, më shumë sesa një alternativë, po bëhet një garant i heshtur i pushtetit ekzistues dhe garant për t’i dhënë Nikos pushtetin e sulltanit për Qarkun, të cilin e gjymtoi dhe e varfëroi.

11 maji mund të jetë një referendum lokal për shumë tema, për largimin masiv të të rinjve, për mungesën e investimeve, për pasivitetin e pushtetit vendor, për indiferencën e qeverisë. Por me këtë ritëm, ai rrezikon të bëhet edhe një referendum për ekzistencën reale të opozitës.

Artikuj te ngjashem

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklam-

Artijukt e Fundit