Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor “Maliq–Korçë”, në afërsi të fshatit Bulgarec. Një automjet ende i paidentifikuar ka përplasur një këmbësore, e cila ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Ngjarja është konfirmuar edhe nga Policia e Shtetit, e cila ka dhënë njoftimin zyrtar si më poshtë:
“Korçë / Informacion paraprak
Rreth orës 17:40, në aksin rrugor ‘Maliq-Korçë’, në fshatin Bulgarec, një automjet i paidentifikuar ka përplasur këmbësoren, shtetasen S. Q., rreth 65 vjeç, banuese në Bulgarec. 65-vjeçarja po merr ndihmë mjekësore në spital, në gjendje të rëndë për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin e automjetit dhe drejtuesit të tij, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorit të aksidentit, si dhe për përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.”
Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa bëhet thirrje për çdo dëshmitar që mund të ndihmojë në identifikimin e mjetit apo drejtuesit të tij.

