Ndërtimet e larta dhe kullat që pritet të marrin aprovimin për t’u ndërtuar në qytetin e Pogradecit janë kthyer në fokusin e diskutimeve në Këshillin Bashkiak të Pogradecit.
Këshilltarë të këshillit, aktivistë dhe ekspertë kanë kundërshtuar ndërtimin e tyre, edhe pse pushteti vendor nuk ka lëshuar ende leje ndërtimi dhe nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë për lejimin e ndërtimeve të larta. Megjithatë, është kërkuar që Këshilli Bashkiak i Pogradecit të kontaktojë institucionet përgjegjëse për të kufizuar dhënien e lejeve të ndërtimit, sidomos në afërsi të zonave të mbrojtura. Një ndër projektet më të diskutueshme është një ndërtim i madh në zonën e Parkut të Drilonit.
Nënkryetari i Bashkisë Pogradec, Paskalino Ziko, në përgjigje të shqetësimit të ngritur në këshill, është shprehur se deri tani nuk ka dijeni zyrtare për ndërtimin e objekteve të larta, duke theksuar se për këtë situatë është informuar vetëm përmes rrjeteve sociale.
Reagimet e Këshilltarëve dhe Ekspertëve
Arbër Male, këshilltar i Këshillit Bashkiak Pogradec, deklaroi se projekti i ndërtimit “Pyjet e Drilonit” është paraqitur masivisht në publik, ndërsa kanë nisur edhe shitjet e apartamenteve, pavarësisht se ndërtimi ende nuk ka filluar dhe leja nuk është marrë.
Nga ana tjetër, eksperti Arjan Merolli ka theksuar se ndërtimet në bregun e liqenit dhe në Parkun e Drilonit cenojnë statusin që zona ka në UNESCO.
Ditët e fundit, në Pogradec janë shfaqur disa projekte për ndërtime shumëkatëshe, disa prej të cilave kanë nisur të dalin në shitje ende pa u ndërtuar.

