Pogradec – Drejtuesi Politik i PS, Niko Peleshi, ka zhvilluar një takim në Pogradec, ku prezantoi dy kandidatët e Partisë Socialiste për qarkun e Korçës në zgjedhjet e 11 majit, Alfons Olldashin dhe Bledi Çomon. Në këtë aktivitet, ai u shoqërua nga kandidatja Romina Kuko.
Në një postim në rrjetet sociale, Peleshi theksoi rëndësinë e përfaqësimit me vizion dhe përkushtim për të ardhmen e qytetit të Pogradecit. Ai nënvizoi se me angazhimin e dy kandidatëve të PS, projektet që rrisin mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e qytetit do të vijojnë të ecin përpara.
Postimi i plotë i Niko Peleshit:
*”Në Pogradec, bashkë me Rominën, për të prezantuar dy kandidatë të Partisë Socialiste në qarkun e Korçës për zgjedhjet e 11 majit, Alfons Olldashin dhe Bledi Çomon.
Pogradeci meriton përfaqësues që punojnë me vizion dhe përkushtim për të ardhmen e tij, ndaj me energjinë dhe angazhimin e Bledit dhe Alfonsit, do të vijojmë të çojmë përpara projektet që rrisin mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e qytetit.
Me besim të plotë dhe vendosmëri, për ta çuar Shqipërinë drejt fitores më të rëndësishme – atë të mandatit të katërt për integrimin në Bashkimin Europian!”*
Zgjedhjet Parlamentare të 11 majit pritet të jenë një moment kyç për qarkun e Korçës, ku Partia Socialiste synon të konsolidojë mbështetjen. Ndërsa të majtët mbeten të vendosur për objektivin e fitimit të 7 mandateve.

