Banorët e fshatit Goskovë, në njësinë administrative Voskop të Korçës, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm prej vitesh. Duket se kjo situatë në përditshmëri krijon tepër vështirësi në jetesën e tyre, teksa uji me orar, i cili shkon në çezmat e tyre, është i ndotur dhe i pakonsumueshëm. E vetmja mënyrë që ata të sigurojnë ujë për konsum është burimi në qendër të fshatit, i cili është kthyer në një element të domosdoshëm, njëkohësisht edhe të mundimshëm për ta.
Në shtëpitë e tyre uji shkon vetëm për pak orë, ndërsa kjo situatë është e pamjaftueshme për familjet e fshatit.
Ndërkohë, sipas informacioneve zyrtare lidhur me situatën e problemit të ujit të pijshëm në këtë fshat, rezulton se është kryer një investim vetëm për shpimin e puseve dhe ndërtimin e depozitave të ujit. Saktësohet që rrjeti i brendshëm i shpërndarjes së ujit nuk është investuar, ndërsa ujësjellësi aktual menaxhohet nga vetë fshati, teksa banorët paguajnë një kosto mujore prej 100 lekësh në muaj.

