Edhe këtë vit, qytetarë korçarë, simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Demokratike morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 20 Shkurtit, datës që simbolizon rrëzimin e diktaturës në Shqipëri.
Me këtë rast, u vendosën kurora me lule nga përfaqësues të shoqatës antikomuniste “20 Shkurti”, qytetarë korçarë dhe përfaqësues të degës së Partisë Demokratike të Korçës.
Fidel Kreka, për të pestin vit radhazi, vendosi një buqetë me lule në këtë memorial, në nderim të babait të tij, Artur Kreka, ish-kryetar i shoqatës antikomuniste “20 Shkurti”.
Më 20 shkurt 1991, dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë rrëzuan monumentin e Enver Hoxhës, simbolin e regjimit diktatorial, duke i dhënë fund epokës së diktaturës dhe duke hapur një kapitull të ri për Shqipërinë – epokën e demokracisë.

