Në një intervistë në Radio Tirana, kandidati i platformës “Deputeti që Duam” Andi Shkira, i cili synon të bëhet pjesë e listës së Partisë Socialiste, ka hedhur një sërë deklaratash të forta. Shkira tha se kjo platforëmë është një mënyrë për të sjellë emra të rinj:
“Ndonjëherë, jeta partiake nuk është e mjaftueshme dhe kontingjenti partiak nuk është i mjaftueshëm për t’u rinovuar. Megjithatë, mekanizma të tillë si “Deputeti që duam” janë modele të njohura në botën euroatlantike, ku partia dhe përfaqësuesit e saj në parlament zgjidhen nga jashtë. Krijohen platforma të tilla për të përzgjedhur kandidatë sepse në thelb, “Deputeti që duam” është një thirrje për deputetë të rinj.” tha Shkira.
Por një përgjigje të fortë jep edhe për ata të cilët kanë ngritur pyetjen pse një Pogradecar, i larguar në kryeqytet duhet të bëhet pjesë e listave të PS.
“Pra u zgjodha, isha një nga aplikantët për qytetin e Pogradecit. Dhe normalisht, më ngritën pyetjen: Ti e ke aktivitetin tënd në Tiranë, përse kërkon mandat për përfaqësim në Pogradec?
Përgjigja ime ishte që unë me këtë qytet kam një lidhje të veçantë. Unë në këtë qytet kam një raport të fortë, pavarësisht se punoj dhe jetoj në Tiranë. Nuk jam shkëputur kurrë nga qyteti im i lindjes, të cilin nuk e kam vizituar thjesht si turist vere apo dimri, por kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të vazhdueshme me të.
Familja ime prej 30 vitesh jeton në Pogradec. Ata janë të njohur për punën e tyre, ushtrojnë profesionin e tyre prej më shumë se 30 vitesh. Ndaj këtë reputacion që gëzoj – edhe për shkak të familjes – kërkova ta përkthej në një mundësi për të kontribuar për këtë qytet.” Theksoi Andi Shkira.
Por mes të tjerash kandidati i platformës nuk kurseu superlativat për Korçën dhe Niko Peleshin, të cilët i konsideroi një shembull për Pogradecin. Sipas tij qyteti liqenor duhet të ndjekë rrugën që ndoqi Korça për tu zhvilluar në turizëm, ndërsa tha se nëse do të jetë deputet i Pogradecit, do t’i kushtojë vëmendjen qytetit të tij për ta bërë si Korçën.
“E kam një pamje: përmes zhvillimit të turizmit, unë shoh edhe zhvillimin ekonomik të gjithë qytetit, gjë të cilën e kam me shumë pasion, ta shoh këtë qytet të zgjohet, të mos flejë, ta shoh në punë.
Ne kemi një shembull shumë të mirë, një shembull që ka funksionuar, dhe ai është Korça. Korça u shndërrua në një destinacion, të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe me Pogradecin. Ia them shpesh edhe drejtuesit të qarkut, Niko Peleshit: Niko, ndihmo ta bëjmë Pogradecin si Korçën! Dhe nuk dua të heq nga mendja kushdo postulatin që Korça është “made in” Niko Peleshit.
Kështu që, praktikisht, është një model që ka funksionuar. Të mos harrojmë që Korça dikur ishte një qytet ku pas orës 5-6 pasdite nuk dilje dot në rrugë, sepse hanin qentë. Nuk kishte jetë, apo jo? Ndërsa sot, Korça është qyteti i dytë më i gjallë pas Tiranës.
Pra, kemi një model që është parë dhe ka funksionuar. Atëherë, pse të mos e marrim këtë model suksesi dhe ta përshtatim në çdo qytet, jo vetëm në Pogradec? Ky është vizioni im dhe besoj që, me mbështetjen e drejtuesve të qarkut, do ta vendos në plan të parë në aktivitetin tim politik, në rast se marr një mandat.” mbyll fjalën Shkria/Pogradecipress.al

