Mundi i gjithë vitit i fermerëve të fshatit Zvirinë, në bashkinë Maliq, duket se ka shkuar dëm. Edhe këtë vit, qepa nuk u shit, duke detyruar fermerët ta hedhin qepën e mbirë.
Sipas fermerëve, kjo situatë është pasojë e mungesës së tregut dhe çmimit të ulët. Ata thonë se tregtarët e kërkojnë qepën me 10-20 lekë për kilogram, ndërkohë që kostoja e saj minimale duhet të jetë të paktën 40 lekë.
Megjithëse pothuajse i gjithë prodhimi u hodh, banorët, me shpresën se tregu do të përmirësohet, kanë vendosur të mbjellin përsëri qepë.
Fusha e Maliqit është një nga zonat kryesore për kultivimin e qepës, veçanërisht varieteteve të qepës së ujit dhe asaj të kuqe. Sipas Drejtorisë së Bujqësisë në Maliq, vitin e kaluar në këtë zonë u kultivuan 850 hektarë me qepë.

