Problematikat me sorollatjen e pacientëve te shërbimi i Hemodializës mbeten një çështje e përhershme, që shqetëson qytetarët dhe krijon pakënaqësi të vazhdueshme, aq sa për pasojë sjellin edhe incidente si ai i disa ditëve më parë (30 Janar) në Korçë, ku një qytetar tentoi t’i vinte flakën vetes dhe Repartit të Dializës, në shenjë indinjate për shërbimin.
Por shqetësimi kryesor duket se vjen nga pasojat e koncesionit. E vetmja që ka kurajon ta denoncojë nga Partia Demokratike, koncesionin që vetë Sali Berisha e ka lavdëruar, është deputetja Zheni Gjergji, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Shëndetësisë.
Me një postim dy ditë më parë, teksa ngre problematikën shqetësuese të këtij shërbimi, ajo hedh dyshime edhe se ky “koncesion i Hemodializës, është shërbim që po pasuron Klod Allajbeun”. Gjithashtu vë në dukje se 21 mln euro në vit jepen për koncesionin e Hemodializës, teksa pacientët vazhdojnë dhe ankohen për kushtet e shërbimit, cilësinë e filtrave, mungesën e mjekëve specialistë.
Në fund edhe një konstatim i KLSH, që ka gjetur shkelje financiare, teksa autoritetet përgjegjëse “nuk kanë reaguar ende’”.
Shërbimi i Dializës është dhënë me koncesion. Koncesionari tani është i kompanisë ‘Diaverium’, por më parë ky shërbim ofrohej nga Spitali Amerikan i Klodjan Allajbeut.
Incidenti i Korçës nuk ishte i vetmi. Një ndër incidentet më të rënda është ai i ndodhur në 2016, kur pas një konflikti për çështjen e ndarjes së ambjenteve dhe makinetave, një pacient i vuri zjarrin pavionit të Hemodializës, në spitalin Amerikan të Klodian Allajbeut. Për pasojë humbën jetën 2 pacientë./shqiptarja.com

