Skandal / Pogradeci “turistik”, bashkia pa buxhet dhe pa strategji për turizmin! Ja arsyeja pse vizitorët nuk ndalen në Pogradec, por shkojnë në Korçë! Lekët shkojnë për drona dhe propagandë… (Dokument)
Bashkia e Pogradecit nuk ka buxhet për turizmin, edhe pse deklaron të kundërtën. Kjo vërtetohet në buxhetin vjetor të miratuar në dhjetor 2024. Dihet që zërat buxhetorë për turizmin duhet të shkojnë për të ndihmuar dhe promovuar bizneset e reja, nëpërmjet skemave të granteve për bizneset e vogla që ofrojnë shërbime turistike, për trajnimin e operatorëve turistikë, për zhvillimin e produkteve lokale turistike, për krijimin e strategjive dhe analizave për turizmin dhe, mbi të gjitha, për promovimin e destinacioneve në mënyrë që të tërheqin turistë vendas dhe të huaj.
Asesi nuk mund të quhen promovim videot me drona apo emisionet me trajtimin e personazheve, pasi këto i takojnë mediave dhe jo faqeve zyrtare të institucioneve. Zyrtare është gjithashtu që ende nuk ka një strategji të miratuar nga Bashkia e Pogradecit për turizmin, edhe pse sipas saj, turizmi është veprimtaria kryesore ekonomike. Kjo tregon se qyteti në vetvete e zhvillon ofertën turistike falë bizneseve private, të cilat garantojnë kushte tepër komode për pushuesit, ndërsa mungon plotësisht iniciativa e pushtetit vendor.
Bashkia që “mburret” me turizmin ka vetëm një punonjës në këtë sektor, i cili angazhohet me promovimin dhe njëherazi zhvillon rolin e kameramanit në interes dhe përfitim të subjekteve private, së bashku me zëdhënësin e këtij institucioni. Kjo situatë skandaloze bëhet edhe më e rëndë kur në fondin e institucionit janë blerë pajisje teknologjike, si drona me vlerë 1.2 milion lekë dhe 600 mijë lekë të vjetra mikrofona, për tekat e njërit apo tjetrit.
Këto nuk shërbejnë për të mbështetur strategjinë për promovimin e Pogradecit, pasi kjo e fundit aktualisht mungon, por vetëm për të zhvilluar propagandën e institucionit, i cili është zhytur në parregullsi dhe korrupsion.
Nga Armand Braho

