Ismeralda Seidolli:
Shqipëria ka nevojë për një administratë publike të ndershme, të depolitizuar dhe profesionale, ku rekrutimi të bëhet mbi bazën e meritës dhe transparencës. Megjithatë, kemi dëshmuar një tjetër skandal që minon këto parime thelbësore: shpallja e konkurimit për plot 71 vende vakante në Bashkinë Korçë, pikërisht në prag të fushatës elektorale.
Ky akt përbën një dyshim mbi përdorimin e administratës publike për interesa politike dhe elektorale, një praktikë e papranueshme që dëmton besimin e qytetarëve tek institucionet. Kjo shpallje e dyshimtë tregon tendencën se administrata e Bashkisë Korçë po përdoret për të shpërblyer militantët e pushtetit aktual, duke e shndërruar konkurrimin e vendeve të punës në një farsë të hapur.
Në një qytet ku papunësia dhe mungesa e perspektivës mbeten shqetësime të mëdha, është e turpshme që vendet e punës në administratë të trajtohen si një monedhë këmbimi politik.
Si anëtare e Këshillit Bashkiak të Korçës dhe si përfaqësuese e qytetarëve, e denoncoj këtë veprim dhe kërkoj:
Transparencë të plotë mbi kriteret dhe procedurat e rekrutimit për këto vende vakante.
Mbikëqyrje të pavarur dhe hetim nga institucionet përgjegjëse për të garantuar që ky proces nuk është një skemë elektorale.
Qytetarët e Korçës meritojnë një administratë që i shërben interesit publik dhe jo interesave të ngushta politike të një partie apo individi. Ky është momenti që të gjithë të ngremë zërin dhe të mbrojmë parimet e demokracisë dhe barazisë. Nuk mund të lejojmë që vendet e punës në administratë të kthehen në një instrument elektoral në dëm të meritokracisë.

