Në rrethin e Maliqit kultivohen rreth 850 hektarë qepë dhe 800 hektarë patate, të cilat përkthehen në afro 60 mijë ton prodhim. Edhe këtë vit, fermerët përballen me faktin që produktet e tyre bujqësore nuk kanë arritur të dalin në treg, duke përfunduar shpesh në plehra. Fermerët, që mbështeten kryesisht në kultivimin e qepës dhe patates, shprehen se këtë vit asnjë grumbullues nuk është afruar për të mbledhur prodhimin e tyre. Sipas tyre, shkaku kryesor mbetet konkurrenca nga produktet e importuara.
Edhe pse fermerët kanë zhvilluar një takim me ministren e Bujqësisë për problemin e mbetjes stok të produkteve, situata duket se nuk ka ndryshuar. Ata shprehen se askush nuk ka treguar interes për zgjidhjen e kësaj çështjeje, duke e cilësuar këtë si vitin më të keq në historinë e tyre përsa i përket shitjes së prodhimeve.
Fermerët pretendojnë se kanë njoftuar autoritetet për këtë problematikë, por ende nuk kanë marrë zgjidhje. Ata e shohin shtetin si përgjegjës për shpërdorimin e prodhimeve dhe kërkojnë një vlerësim të situatës, si dhe një kompensim për dëmin e shkaktuar. Shumica prej tyre janë të ngarkuar me kredi dhe borxhe, duke e bërë situatën edhe më të rëndë.

