Në orët e para të mëngjesit të datës 4 janar, një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu lagjen nr. 4 në Pogradec, konkretisht në rrugën “Gani Homçani”. Flakët shkrumbuan plotësisht dy banesa, ndërsa dy të tjera u rrezikuan seriozisht.
Një ndër faktorët kryesorë që kontribuuan në përhapjen e shpejtë të zjarrit është infrastruktura e ngjeshur e ndërtimeve në këtë zonë. Ndërtimet e afërta me njëra-tjetrën dhe rrugicat tepër të ngushta penguan ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse, duke e bërë situatën edhe më kritike, gjithashtu dhe punën e zjarrëfikësve më të vështirë.
Mungesa e planifikimit urban, sidomos në rastet kur ndërtime të reja dhe të vjetra janë realizuar pranë njëra-tjetrës, e ka vendosur sigurinë e banorëve në rrezik të vazhdueshëm. Rrugicat e ngushta shpesh e bëjnë të pamundur kalimin e mjeteve zjarrfikëse dhe ambulancave, duke ngritur shqetësime serioze për rastet e fatkeqësive. Shpesh hërë rrethimet e banesave kryesisht apo dhe lejet e ndërtimit të paplanifikuara kanë bërë që rrugicat të jenë shumë të ngushta dhe të pa aksesueshme nga mjetet.
Banorët e zonës apelojnë për masa të menjëhershme nga institucionet përkatëse, duke kërkuar zgjidhje si lirimin e hapësirave ndërmjet banesave, zgjerimin e rrugëve apo krijimin e aksesit për mjete emergjence. Ngjarja e 4 janarit, ka ngritur pikëpyetje të shumta për mënyrën se si duhet të veprojnë autoritetet në kushtet kur asnjë mjet nuk mund të hyj në brëndësi të lagjes, në raste të ngjashme.
Kjo ngjarje shërben si një paralajmërim për situata të tjera të njëjta, të cilat mund të shmangen vetëm përmes ndërhyrjes së shpejtë dhe në kohë, por me rrugë të aksesueshme lirisht për mjetet kryesisht të emergjencave. Vonesat në marrjen e masave mund të sjellin pasoja edhe më të rënda në të ardhmen, ndërsa mosndërhyrja për të zgjidhur këtë situatë mund të përkthehet edhe në katastrofa. Sipas banorëve, rrugicat e lagjes janë aq të ngushta sa nuk mund të kalojë as një mjet i vetëm zjarrfikës, duke e bërë situatën emergjente dhe një alarm të vazhdueshëm për këtë zonë të banuar dendur.
Dilema që mbetet e ngritur në të tilla raste është se kush ka dhënë lejet e ndërtimit për objektet e reja të banimit në këtë lagje dhe cilat kritere janë shkelur për një urbanizim të rrëmujshme dhe që sot sjell pasoja për vetë banorët?/Pogradecipress.al