Detaje të reja nga aksidenti tragjik në fshatin Zëmblak
Një aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Zëmblak, ku humbi jetën një 24-vjeçare me shtetësi greke. Sipas të dhënave të para, dyshohet se drejtuesi i mjetit tip Peugeot ka kryer një manovër të gabuar. Në dëshminë e tij në polici, ai ka deklaruar se një kafshë i kishte dalë papritur para automjetit dhe, për të shmangur përplasjen, ka devijuar mjetin, duke u përplasur ballë për ballë me një automjet tip Benz që vinte nga korsia tjetër.
Përplasja ka qenë shumë e fortë, çka ka sjellë vdekjen e menjëhershme të pasagjeres në mjetin Peugeot, një 24-vjeçare greke, e cila mësohet se ishte e fejuara e drejtuesit të mjetit. Çifti jetonte në Selanik dhe kishte ardhur në Shqipëri rreth datës 27 dhjetor për të kaluar festat e fundvitit.
Trupi i viktimës do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë për kryerjen e ekzaminimeve, pasi ajo është shtetase e huaj.
Policia vijon hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e aksidentit.