Redaksia e Pogradecipress.al ka rankuar disa ngjarje kryesore të cilat shenjuan vitin që lamë pas, disa prej tyre janë ngjarje të rënda kriminale që “turbulluan” qytetin e Pogradecit.
Më 21 qershor 2024, banorët e fshatit Gurras protestuan kundër ndërtimit të rrugës së re Pogradec–Dogana Tushemisht, e cila, sipas tyre, po i izolon nga tokat bujqësore dhe po u vështirëson aksesin në shëtitoren e Drilonit. Ata kërkuan ndërtimin e një nënkalimi për të siguruar lëvizjen e lirë dhe paralajmëruan përshkallëzim të protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Pas protestës institucionet u detyruan të reagojnë
Në korrik 2024, Berie Zykollari, punonjëse e ndërmarrjes së gjelbërimit në Bashkinë e Pogradecit, u shqua për aktin e saj heroik duke shpëtuar një 69-vjeçare që tentoi të mbytej në ujërat e liqenit të Ohrit. Pavarësisht mungesës së ndihmës nga të pranishmit, Zykollari ndërhyri me guxim, e nxori gruan nga uji dhe i ofroi ndihmën e parë, duke i shpëtuar jetën.
Më 22 korrik 2024, rreth orës 02:30, një sasi e vogël lënde plasëse shpërtheu në sheshpushimin e një pallati midis katit të parë dhe të dytë, pranë banesës së një shtetasi në Pogradec. Fatmirësisht, nuk pati të lënduar, por shpërthimi shkaktoi dëme materiale dhe shqetësim te banorët. Ngjarja ndodhi në pikun e sezonit turistik, kur qyteti kishte dyndjen më të lartë të pushuesve.
Plagosje me armë zjarri në Stropckë: Më 24 korrik 2024, në fshatin Stropckë të Pogradecit, një ngjarje e rëndë tronditi komunitetin lokal. Një 80-vjeçar, Agim Shkullaku, pas një konflikti familjar, plagosi me çifte të birin e tij 50-vjeçar, Përparim Shkullaku. Sipas burimeve, konflikti eskaloi pas debateve të forta, ku djali dyshohet se ushtroi dhunë ndaj babait, i cili në kushtet e vetëmbrojtjes përdori armën. Të dy u dërguan në spital për trajtim mjekësor.
Vrasja e Egli Progës: Më 10 gusht 2024, Egli Proga, 42 vjeç, humbi jetën pas një konflikti në Pogradec. Fillimisht, ngjarja u raportua si vdekje natyrale, por hetimet zbuluan se ishte vrasje. Autori i dyshuar, Denis Meçe, u arrestua. Kjo ngjarje shkaktoi debate mbi mënyrën e trajtimit të saj nga autoritetet. Ngjarja ishte aq e rëndë akuza të shumta u hodhën në drejtim të policisë së Pogradecit, për tentativë të fshehjes së ngjarjes. Ndërkohë hetimet për këtë ngjajre vijojnë, teksa edhe 3 persona të tjerë ndodhen pas hekurave.
Pas vrasjes së Egli Progës në Pogradec, u organizuan marshime dhe homazhe që kërkonin drejtësi për viktimën dhe ndëshkimin e autorëve. Familjarët dhe qytetarët shprehën indinjatën e tyre ndaj institucioneve të drejtësisë, duke i akuzuar për neglizhencë dhe mosveprim të duhur në trajtimin e çështjes.
Në fillim të nëntorit, përfaqësues të bizneseve në Pogradec organizuan një protestë kundër vendosjes së impianteve të përpunimit të ujërave të zeza, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave. Ata argumentuan se rrjeti ekzistues i kanalizimeve është i mjaftueshëm dhe se vendosja e impianteve shtesë do të ishte e panevojshme dhe e kushtueshme. Pas protestës, u zhvillua një takim me përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës për të adresuar shqetësimet e tyre.
Më 6 nëntor 2024, gazetari i Report Tv, Armand Braho u kërcënua dhe ofendua gjatë ushtrimit të detyrës nga Ylli Blacëri, një punonjës i Bashkisë Pogradec. Ky incident ndodhi gjatë pasqyrimit të një aktiviteti pranë bashkisë, ku Blacëri, me detyrë shofer, përdori gjuhë fyese dhe kërcënuese ndaj gazetarit, duke tentuar ta pengojë në kryerjen e detyrës së tij profesionale.
Aksident me fatalitet në aksin Pogradec-Qafë Thanë: Ngjarje e rëndë u regjistrua më 11 dhjetor 2024, në afërsi të fshatit Pojskë, ndodhi një aksident i rëndë automobilistik ku humbi jetën Martin Kastrioti 34 vjeç dhe u plagosën dy të tjerë. Ngjarja e rëndë tronditi opinonin publik në qytetin e Pogradecit.
Më 5 dhjetor 2024, banorët e fshatit Gështenjas protestuan kundër cilësisë së dobët të punimeve për asfaltimin e rrugëve të brendshme të fshatit. Banorët kërkuan rishikimin e projektit dhe përmirësimin e standardeve të punimeve.
Më 5 dhjetor 2024, dy të rinj nga Pogradeci Enes Dautllari dhe Erik Oshafi, arritën të shpëtojnë një 31-vjeçar, i cili nën efektin e lëndëve narkotike, tentoi të hidhej nga dritarja e apartamentit të tij në katin e gjashtë. Nëna e tij e moshuar po përpiqej ta ndalonte, kur të rinjtë, që po ktheheshin nga xhamia, ndërhynë në kohë dhe shmangën tragjedinë.
Gjithashtu një sërë aktivitetesh të tjera kulurore, artistike dhe sportive u zhvilluan përgjatë vitit 2024 në qytetin e Pogradeci.
Hapja e Sezonit Turistik “100 Ditë Verë” – Në qershor 2024, Pogradeci çeli sezonin turistik me një sërë aktivitetesh kulturore, panaire të punimeve artizanale dhe produkte bio, duke synuar promovimin e traditave dhe atraksioneve të zonës.
Vala Fest (8 Qershor 2024) – Më 8 qershor, Pogradeci mirëpriti “Vala Fest”, një koncert veror. këtë koncert performuan artistë të njohur si Venera dhe Lind Islami, duke ofruar një mbrëmje të paharrueshme për publikun.
Festivali i Kukullave “Xinxifilo” (7-10 Qershor 2024) – Për të 18-in vit radhazi, Pogradeci zhvilloi Festivalin e Kukullave “Xinxifilo”, një aktivitet i dashur për fëmijët dhe familjet. Në këtë edicion morën pjesë 9 trupa teatrale nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të cilat performuan shfaqje me përmbajtje edukative dhe argëtuese. Festivali synon të largojë fëmijët nga teknologjia dhe t’i afrojë ata me artin e teatrit.
Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë – Në edicionin e tij të 14-të, ky festival u zhvillua nga 24 deri më 29 qershor 2024, duke shfaqur rreth 50 filma të zhanreve të ndryshme në lokacione si Odeoni i Pogradecit dhe qendra kulturore e qytetit.
Në vitin 2024, Pogradeci shënoi pesëvjetorin e përfshirjes së Liqenit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Për të festuar këtë arritje, gjatë muajit korrik u organizuan një sërë aktivitetesh promovuese dhe edukuese, të njohura si “5 ditët e UNESCO-s”. Këto aktivitete synonin të rrisnin ndërgjegjësimin për rëndësinë historike dhe natyrore të zonës, duke përfshirë guida turistike, ekspozita dhe evente kulturore.
Festivali i Peshkatarëve (2-4 Gusht 2024) – Për herë të parë, Pogradeci mirëpriti Festivalin e Peshkatarëve Shqiptarë, një ngjarje tre-ditore që synonte promovimin e traditës së peshkimit dhe kulinarisë lokale. Aktivitetet u zhvilluan në Odeonin e qytetit, duke përfshirë ekspozita, muzikë live dhe gatime tradicionale me peshk.
Lin Festival (22-24 Gusht 2024) – Edicioni i dytë i Lin Festival u zhvillua në fshatin prehistorik Lin, pranë mozaikut paleokristian. Festivali synonte rijetësimin e trashëgimisë kulturore përmes muzikës, letërsisë dhe aktiviteteve të tjera artistike, duke ofruar një platformë për artistë vendas dhe të huaj.
Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv – Në shtator 2024, Pogradeci mirëpriti 22 artistë ndërkombëtarë në edicionin e 15-të të kësaj kolonie, e cila synon të promovojë vlerat artistike dhe kulturore të qytetit në nivel ndërkombëtar.
Maratona Enkelana (Shtator 2024) – Maratona Enkelana, një garë vrapimi që promovon turizmin sportiv dhe shëndetin, u organizua në Pogradec, duke tërhequr qindra pjesëmarrës nga Shqipëria dhe rajoni. Gara përfshinte itinerare përgjatë liqenit të Ohrit, duke ofruar pamje mahnitëse dhe një atmosferë festive për pjesëmarrësit dhe spektatorët.
Festa e Verërave dhe Gështenjës – Më 6 dhjetor 2024, Pogradeci organizoi këtë festë tradicionale, duke ofruar degustime verërash lokale dhe produkte të gështenjës, të shoqëruara me muzikë live dhe aktivitete kulturore./ Pogradecipress.al