Është miratuar sot në Këshillin Bashkiak të Pogradecit buxheti për vitin 2025, me një shifër prej 1.6 milionë eurosh. Zërin kryesor të shpenzimeve në buxhet e zënë pagat dhe sigurimet shoqërore, ndërsa investimet janë planifikuar në masë më të vogël. Përveç buxhetit, është votuar edhe rritja e dytë e pagave për administratën publike, ku rritja më e ndjeshme reflektohet vetëm në pozicionet drejtuese të administratës. Pagat e drejtorëve do të variojnë nga 1.8 mijë euro deri në 2 mijë euro, ndërsa për specialistët dhe punonjësit e tjerë, rritja mbetet e papërfillshme.
Arbër Male, një nga këshilltarët e Këshillit Bashkiak që votoi kundër buxhetit, argumenton se buxheti duhet të përfshijë më shumë investime në art, kulturë dhe atraksione turistike për ta kthyer Pogradecin në një pol zhvillimi turistik.
Për projektvendimin e pagave, Male thekson se rritja po bëhet vetëm për drejtuesit, ndërsa administrata, e cila mbart peshën kryesore të punës, po përballet me zhgënjimin e mosrealizimit të premtimit për rritje page.
Së bashku me buxhetin, duket se edhe organika ka pësuar një fryrje, ku janë planifikuar 825 punonjës për këtë vit zgjedhor, pa llogaritur numrin e punonjësve në shoqëritë aksionare në varësi të Bashkisë së Pogradecit.