Reshjet e dëborës gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë rënë në pothuajse gjithë territorin e qarkut të Korçës, në lartësitë mbi 900 metra. Në rrethinat e Korçës, Pogradecit, Devollit dhe Ersekës, dëbora ka rënë me intensitet të ulët deri në mesatar. Në Dardhë është regjistruar një trashësi prej 20 cm, ndërsa në zona të tjera 15 cm.Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme pa problematika, por rekomandohet kujdes për drejtuesit e automjeteve, duke përdorur pajisje dimërore. Aktualisht, për shkak të stuhisë së mbrëmshme, 384 familje janë pa energji elektrike. Grupet e punës së OSHEE-së ndodhen në terren që nga orët e para të mëngjesit për të rikthyer furnizimin me energji.Reshjet janë ndërprerë momentalisht në qarkun e Korçës, ndërsa temperaturat janë nën zero gradë në disa zona. Gjatë natës, në zonën e Dardhës ato kanë zbritur deri në -5 gradë Celsius.