Vithkuqi ndodhet njëzet kilometra në jugperëndim të qytetit të Korçës dhe në jug të Voskopojës fqinje. I ndërtuar në një lartësi prej 1300 m mbi nivelin e detit, manastiri rrethohet nga male të larta, të cilat krijojnë një peizazh të bukur natyror dhe piktoresk.Historia e Vithkuqit zë fill që nga periudha bizantine. Sipas traditës, ndërtimi i kishës së parë, kushtuar Shën Athanasit, daton në vitin 1162. Vendosja e sundimit osman në Shqipërinë e Jugut në fund të shek. XV solli zhvillime të reja që prekën edhe Vithkuqin. Sulltan Bajaziti II i lëshoi si mylk, stallierit të parë dhe pushtuesit të Psamathisë, Mirahor Evel Iljaz beut, shtatë fshatra në zonën e Korçës, ndër të cilat edhe Vithkuqin.Gjatë shek. XVII-XVIII, Vithkuqi arriti një nivel të lartë ekonomik dhe kulturor, duke ndjekur rrjedhën e shumë qendrave të njohura të kohës, si Voskopoja, Nikolica, Shipska etj. Sipas historianëve të shek. XIX, gjatë kësaj periudhe prosperiteti, vithkuqi shtrihej në njëzet e katër lagje, ndër të cilat përmendim lagjet “Dukas”, “Borishë”, “Grekas”, “Tataç”, “Kovaças”, “Rusas” etj.Gjatë viteve kur kryepiskop i Ohrit ishte Joakimi nga Voskopoja (1719-1745), u shënua një zhvillim i madh në fushën e kulturës dhe arsimit. Përveç burimeve historike të kohës, këtë e dëshmojnë edhe kishat e zbukuruara të Vithkuqit, të cilat janë ndër monumentet më përfaqësuese të artit kishtar të shek. XVIII në Ballkan. Mes rreth katërmbëdhjetë kishave dhe manastireve që kanë ekzistuar në Vithkuq, një vend të veçantë zë manastiri i Apostujve të Shenjtë Petro dhe Pavli, që ruhet edhe sot. edhe katër nga kishat e mbetura të Vithkuqit, kisha e Shën Nikollës, Shën Athanasit që ishte më e vjetra, Shën Joanit dhe e Shën Parashqevisë.Nga kishat e vjetra që kanë mbetur në Vithkuq përmendim kishën e Shën Marisë, që daton në gjysmën e dytë të shek. XVII; kishën e Shën Minait, të shek. XVIII; kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, të shek. XVIII; kishën e Shën Gjergjit, të gjysmës së dytë të shek. XVIII, një periudhë që përkon me zgjerimin urbanistik të Vithkuqit, ku secila lagje kishte dhe kishën e vet.