Kori “LIRA”, ky emër kaq i vjetër përmban në vetvete thesarin e këngëve të qytetit të Korçës, duke u bërë simboli i këngës qytetare korçare. Ai u formua rreth viteve 1917 -1922 si vazhdimësi e formacioneve instrumentale – korale dhe e grupeve të asaj kohe. Pas vitit 1928, drejtimin e këtij grupi e mori profesori i ri i muzikës, i cili kishte mbaruar studimet e larta në Konservatorin e Bukureshtit, z. Sotir Kozmo. Ai si profesionist punoi për rritjen e cilësisë së grupit por ka edhe meritën sepse ngriti të parin grup koral me vajza në qytetin e Korçës. Meritën kryesore në këtë zhvillim e kishte rinia korçare, si edhe ata që shkruan tekstet e këngëve dhe kompozuan muzikën për këtë kor, siç janë : Mihal Grameno, Thoma Nasi, Spiridon Ilo, Koli Rodhe, Mihal Ballkameni dhe shumë të tjerë të cilët kanë mbetur anonimë. Gjatë gjithë këtyre viteve të ekzistencës së tij, grupi ka ekzekutuar më shume se 200 këngë patriotike, lirike dhe satirike të trevës së Korçës. Kori “Lira” është një nga grupet me të vjetra ballkanike, i cili ka prodhuar me qindra serenata të cilat ende sot këndohen e pëlqehen aq shumë nga artdashësit korçarë dhe vizitorët./ CNA.al