Ndezja e dritave mbrëmjen e djeshme në qytetin e Pogradecit shënoi fillimin e festave të fundvitit. Qindra të pranishëm u mblodhën në sheshin e qytetit dhe numëruan mbrapsht për ndezjen e dekorit festiv që ndriçoi të gjithë qytetin bregliqenor.
Nënkryetarja e bashkisë së Pogradecit theksoi se qyteti ka një kalendar të ngjeshur aktivitetesh për muajin dhjetor. Ajo gjithashtu theksoi se ndezja e dritave u shoqërua me festën e gështenjave dhe të verës, e cila këtë vit feston 30-vjetorin e saj.
Në këtë aktivitet, vihej re dhe atmosfera magjike që krijohej nga festa e gështenjave dhe e verës, ku tendat e shumta me një shumëllojshmëri produktesh tradicionale ishin të pranishme dhe u shijuan nga vizitorët e shumtë që kishin mbushur Pogradecin në këtë natë.
Mbrëmjen e djeshme, nën tingujt magjepsës të koncertit të organizuar, qyteti i Pogradecit u mbush me një atmosferë të paharrueshme. Ndërkohë, bëhet e ditur se përgjatë muajit dhjetor do të zhvillohen aktivitete të shumta, të cilat synojnë të tërheqin turistët.