Një ekspozitë e veçantë u shfaq mbrëmjen e djeshme në Qendrën Kulturore “Lasgush Poradeci”. Ekspozita, e titulluar The Pressure of Freedom, e sjellë nga gazetari i njohur Ilir Paço, përmban 35 skica të hedhura nga gazetari në fletët e lajmeve të ditës.
Për Ilir Paçon, ardhja e ekspozitës në qytetin e Pogradecit është një nder për të, dhe ndërkohë tregon se mesazhi i skicave të tij është dashuria për Ballkanin tonë.
Piktori i njohur Enxhel Prifti tregon se ekspozita në vetvete është e veçantë, pasi janë skicuar me shumë detaje mbresa udhëtimesh dhe ngjarje të caktuara, të cilat janë shoqëruar me datat përkatëse.
Krahas skicave të shfaqura për pjesëmarrësit, ekspozita ka gjithashtu një instalacion me ekrane, ku shihen prezantimet e lajmeve nga gazetari i njohur Ilir Paço. Ndërkohë, pjesëmarrës në ekspozitë ishin intelektualë, banorë të qytetit dhe vizitorë, të cilët panë nga afër artin e sjellë në një nga format më të bukura.