Në Pogradec, u festua 28 nëntori, dita e Pavarësisë, nga forcat politike, ku prej orës 10 nisi ceremonia e ngritjes së flamurit nga Bashkia e Pogradecit, përpara institucionit ku të pranishëm ishin zyrtarë të bashkisë dhe funksionarë të Partisë Socialiste.
Entela Gusho, nënkryetare e bashkisë, uroi festat për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Antikomunistët dhe të përndjekurit politikë, së bashku me Partinë Demokratike, zhvilluan për të pestin vit radhazi homazhe pranë varrezave të martirëve në qytetin e Pogradecit.
Ndërkaq, kryetari i përgjithshëm i Shoqatës Antikomuniste të Të Përndjekurve Politikë, Et’hem Fezollari, tha se kryerja e homazheve në këtë ditë është zgjedhur të bëhet për shkak se edhe martirët kanë kontribuar në lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi.
I pranishëm ishte edhe kreu i PD-së Pogradec, Genti Çela, i cili shprehu urimet, por, i pyetur për arsye se pse kjo ditë po festohet e ndarë ndërmjet faktorëve politikë në Pogradec, ai zgjodhi të mos komentonte.
Prej 5 vitesh radhazi, në Pogradec 28 nëntori festohet në vende të ndryshme nga aktorët politikë, ku ndryshe nga qyteti i Korçës, ku gjatë aktivitetit për ngritjen e flamurit marrin pjesë përfaqësues nga parti të ndryshme.