Korçë: Rritet numri i veprave penale të abuzimit apo krimeve seksuale kundrejt fëmijëve. Sociologët: Të rritet përgjegjësia dhe kontrolli prindëror dhe të mbyllen rrjetet sociale për të miturit.
Veprat penale të abuzimit apo ngacmimit seksual ndaj të miturve janë rritur ndjeshëm këtë vit në Qarkun e Korçës, ku nga të dhënat zyrtare të policisë bëhet e ditur se vetëm në periudhën janar – nëntor 2024, janë regjistruar 11 ngacmime seksuale të parashikuara nga neni 108 ndaj të miturve dhe 3 krime seksuale. Kjo shifër është më e larta e evidentuar në vitet e fundit për këtë qark.
Sociologia Maria Dojçe pohoi se rastet e ngacmimeve seksuale kanë pësuar një rritje të dukshme dhe shton se një prej shkaqeve është ulja e komunikimit mes fëmijës dhe prindit. Ndërsa ngjarjet e ngjashme krijojnë efekte negative afatgjata tek fëmijët.
Dojçe komentoi edhe ngjarjen kur nxënësit e një shkolle në Korçë u ngacmuan seksualisht nga mësuesi i tyre, duke drejtuar gishtin tek institucionet për mungesën e filtrave.
Veç të tjerave, përsa i përket debatit publik të hapur së fundmi nga Kryeministri Rama për mbylljen e platformave sociale, sociologia mbështet këtë masë, duke shtuar se rrjetet sociale po keqpërdoren duke ndryshuar misionin për të cilin janë krijuar.
Teksa rastet e ngacmimit seksual kanë pësuar një rritje të ndjeshme, vetëm një ditë më parë përfaqësues të shërbimit social në Qarkun e Korçës thanë se ka edhe raste të këtyre veprave penale që nuk denoncohen, ndërsa vetëm ekspertët flasin për një rritje të vigjilencës familje-shkollë