Organizonin llotari sportive, arrestohen dy punonjës të Bashkisë Maliq
Dy punonjës të Bashkisë Maliq u arrestuan mbrëmjen e djeshme pas dyshimeve se organizonin llotari sportive dhe vendosnin baste nëpërmjet telefonave të tyre celularë. Arrestimi u krye nga policia pas kontrollit në një lokal në fshatin Plasë, pronë e babait të njërit prej të arrestuarve.
Gjatë kontrollit, policia gjeti telefona celularë që përdoreshin për vendosjen e basteve sportive. Nga hetimet rezultoi se në telefonat e tyre kishte komunikime në WhatsApp, ku ata vendosnin shuma të ndryshme parash në skedina. Dyshohet se gjatë një periudhe prej rreth një muaji, janë vendosur më shumë se 150 baste sportive.
Të arrestuarit, me inicialet K.Sh. dhe S.F., akuzohen për disa vepra penale, përfshirë:
• “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”,
• “Vënia në dispozicion për lojëra të palejuara”,
• “Fshehja e të ardhurave”.
Policia po vijon hetimet për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme.