Sindi Bixhaku, 16-vjeçarja mbesë nga Pogradeci që mahniti Panairin e Librit 2024 me debutimin e saj në letërsi…
Një nga ngjarjet më të komentuara në Panairin e Librit të këtij viti ishte debutimi i shkrimtares së re, Sindi Bixhaku, me romanin e saj të parë “Tërfili”.
Në moshën 16-vjeçare, Sindi ka arritur të krijojë një vepër të jashtëzakonshme, e cila ka ngjallur kureshtjen e dhjetra të rinjve duke dëshmuar se mosha nuk është një kufizim kur bëhet fjalë për krijimtarinë dhe përkushtimin.
Me talentin e saj të dukshëm dhe pasionin për tregimet që kapin zemrat dhe imagjinatën e lexuesve, ajo ka hyrë fuqishëm në botën e letërsisë.
Pjesëmarrja e Sindit në Panairin e Librit shënon jo vetëm një sukses personal për të, por edhe një moment frymëzimi për të gjithë të rinjtë që ndjekin pasionin e tyre për letërsinë. Për një autore kaq të re, të përballesh me sfidën e krijimit të një romani me kaq shumë dimensione dhe ta prezantosh atë për herë të parë në një event prestigjioz si Panairi i Librit është një arritje e jashtëzakonshme.
“Tërfili” është shkruar në gjuhën angleze dhe i drejtohet lexuesve të moshave 13-18 vjeç, duke ofruar një histori të pasur me mister, aventura dhe ndjenja. Megjithatë, temat që trajton janë universale dhe mund të prekin çdo lexues, pavarësisht moshës. Përmes një ndërtimi të kujdesshëm të botës së librit dhe zhvillimit të personazheve komplekse, Sindi arrin të sjellë një përvojë unike letrare, që mbetet e gjallë në mendjen e lexuesit.
“Tërfili” është një histori që kombinon misterin, emocionet dhe detajet historike
Romani zhvillohet në Londrën e viteve 1900, një periudhë ku intrigat dhe misteret janë pjesë e përditshmërisë.
Protagonistja e librit është një kriminele enigmatike, e njohur si Tërfili, e cila përdor një metodë unike dhe vdekjeprurëse për të eliminuar viktimat e saj: një puthje helmuese. Viktimat e janë gjithmonë burra, dhe motivet që qëndrojnë pas veprimeve të vajzës lule janë po aq misterioze sa vetë identiteti i saj.
Debutimi i Sindit në Panairin e Librit i ka dhënë asaj një platformë të fortë për të ndërtuar më tej rrugën e saj letrare. Lexuesit presin me padurim krijimet e saj të ardhshme dhe aventurat që ajo do të sjellë në botën e letrave.