Në Korçë u prezantua për herë të parë një nga eventet më të veçanta, “Mirroring Korça,” një përvojë unike e fotografëve grekë, të cilët për katër ditë me radhë eksploruan rrugët dhe atmosferën e qytetit për të kapur momente nga më të bukurat, si në peizazhe ashtu edhe në portrete.
Fotografët e grupit False Mirror, të cilët kanë vizituar mbi 70 vende në mbarë botën, e përzgjodhën Korçën si destinacionin e radhës për të dokumentuar të gjitha dimensionet e saj kulturore, historike dhe natyrore.
Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti:
“Për fotografët, Korça është një qytet që i përshtatet asaj që ata duan të gjejnë dhe të ekspozojnë.”
Fillimisht, ajo që duhet të theksojmë është interesi i madh fotografik që Korça ngjall. Është një qytet që zhvillohet dhe evoluon vazhdimisht në mënyrën më të mirë. Ne kemi vendosur ta ndjekim këtë ritëm evoluimi, duke theksuar dhe pasqyruar të gjitha ndryshimet që ndodhin këtu – bashkimin mes së resë dhe së vjetrës, apo mënyrën se si elementet e reja ndërthuren me traditat e vjetra.
Kisha një ftesë nga Qendra e Artit dhe Kulturës, të cilën e pranuam me kënaqësi të madhe. Personalisht, unë kam ardhur në Korçë shumë herë për aktivitete të ndryshme, por këtë herë i gjithë ekipi është jashtëzakonisht entuziast për të sjellë diçka unike dhe të veçantë.
Fotografët ndanë përjetimet e tyre mbi atmosferën unike të qytetit dhe theksuan rëndësinë e pasqyrimit të diversitetit kulturor të Korçës përmes fotografisë.
Pas ditëve intensive të punës, rezultatet u prezantuan për publikun artdashës në një ekspozitë të veçantë, e cila u mbajt në Bibliotekën e Qytetit “Thimi Mitko.” Kjo ekspozitë përmbante fotografi dhe portrete që pasqyronin shpirtin dhe magjinë e Korçës.