Nga Daniela Zisi
Kërcënimi në publik, për shkak të detyrës, ndaj kolegut Armand Braho nga shoferi i kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, përshkallëzon në një nivel të paprecedent sulmin e pushtetit zullumqar ndaj medias dhe gazetarëve, sidomos ndaj atyre që janë të lirë në shpirt dhe mendje, si Armandi.
Të madh dhe të rëndë duhet ta ketë pasur sikletin dhe hallin shoferi i Xhakollit, apo ky i fundit vetë. Mjerë veshët e tij për ç’halle pushtetarësh kanë dëgjuar dhe mjerë sytë e tij për ç’gjemë kanë parë, se ndryshe nuk i gjej dot motiv dhe logjikë kërcënimit me jetë që i ka bërë sot kolegut Braho gjatë ushtrimit të detyrës.
Minimumi që duhet të bënte, në një vend normal, gjithkush që ushtron një funksion publik në një rast të tillë, do të ishte distancimi publik nga akti i rëndë, gjë që në fakt nuk besoj se do të ndodhë.
Organet ligjzbatuese duhet t’i shkojnë deri në fund hetimit të ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në Pogradec, me protagonist nivelin më të ulët të administratës publike. Por kur një shofer kryetari bashkie guxon të intimidojë një gazetar, mendo ç’duhet të presim nga ata me më shumë pushtet.
Përkeqësimi i lirisë së medias në vend dhe kërcënimi i gazetarëve për dhe gjatë ushtrimit të misionit të tyre duhet të alarmojë institucionet brenda dhe jashtë vendit: Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit, Komisioni Parlamentar i Medias dhe Informimit, Delegacioni i BE në Tiranë, Zyra e KE dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë.