Pogradeci arrin të fitojë me rezultatin minimal 1-0 kundër Apolonisë së Fierit në “Pogradeci Stadium” këtë të diel dhe njëkohësisht merr tre pikë të rëndësishme kundër fierakëve. Sfida e luajtur në orën 14:00 me një stadium të tejmbushur si rrallëherë dhe me mbështetjen e madhe të tifozëve pogradecarë u vendos në minutën e 81-të me një aksion personal të Hermes Shkulakut, benjaminit të tifozërisë pogradecare i cili u aktivizua në minutën e 75-të dhe pesë minuta më vonë me veprimet e tij spektakolare në krahun e majtë që tashmë janë një “deja vu” për sportdashësit arriti të depërtojë mirë duke dribluar dy mbrojtësa në krah dhe më pas hodhi një top në brendësi të zonës ku një mbrojtës fierak nuk mundi dot ta largojë por shkaktoi autogol. Pas golit Shkulaku u drejtua drejt tifozëve pogradecarë duke puthur stemën e skuadrës ku ky veprim i tij bëri që tifozët të brohorasin emrin e tij në kor. Në një moment kur loja e skuadrës nuk po shkonte mirë tifozët thërrisnin drejt stafit emrin e Shkulakut në mënyrë që të aktivizohej sulmuesi pogradecar. Shkulaku këtë sezon çuditërisht është aktivizuar pak por sot e tregoi që është një lojtar që e pranon stolin me modesti dhe fjalët e tij janë fusha e gjelbër, ç’ka e tregoi sot më së miri.
SKEDA E NDESHJES:
Pogradeci e nisi në sulm por me paqartësi të mëdha përpara portës ku në fillim është Topllari që hyn nga e majta dhe hedh një top në zonë por në vijën e sulmit nuk gjendet asnjë lojtar për të përfituar. Në të 10-ën Pengu tentoi me të majtën frikshëm por sfera shkoi jashtë. Më pas erdhi një goditje e Kasmollarit po me të majtën në të 12-ën por edhe kjo shkoi jashtë. Kroson mirë Pengu në zonë për Topllarin që godet me kokë por goditja ishte e lehtë. Në të 38-ën nigeriani Danlandi hyn një moment mirë në zonë ku pason për Topllarin por edhe kji goditje ishte e lehtë. Aksion i artë për Apoloninë në fund të pjesës së parë pas një goditje dënimi ku Hebeja përfiton nga topi i ngecur në zonë por gjuan dobët dhe shumë lart mbi traversë
0-0 dhe me dominim të liqenorëve përfundon pjesa e parë.
Një rast i artë vjen në të 68-ën ku pas gjuajtjes së Pengut grushton Bushi por as Pandadiç nuk përfiton para portës. Umejiego i Apolonisë merr një asist të mirë në të 73-ën që godet nga e majta në gjysëm lartësi por sfera shkon jashtë dhe pak afër shtyllës së majtë. Duhet të vinte minuta e 81-të që zemrat e mbi njëmijë tifozëve të ngriheshin peshë dhe këtë e bën benjamini i tyre prej vitesh, Hermes Shkulaku që hyn bukur nga krahu i majtë duke dribluar dy lojtarë dhe hedh një top të tokazi në zonë që devijohet nga një lojtar i fierakëve dhe shkon në portë duke kaluar në avantazh Pogradecin. Pas golit pogradecarët tërhiqen në mbrojtje dhe lënë Apoloninë të dominojë, një skemë kjo e parë shpesh që rrezikon tepër skuadrën por sulmet e fierakëve mbyllen mirë nga mbrojtja pogradecare e në veçanti nga Ivani. Pogradeci ndërkohë mbrohet dhe tenton kundërsulmet ku F.Pius në të 83-ën hyn mirë nga e djathta godet por jashtë. Në të 85-ën sulmuesi i Aplonisë Umejiego godet mirë me kokë pas një krosimi por nuk e çon në kuadrat. Rasti i fundit do të ishte me Kazim të Pogradecit i cili merr një top që në mesfushë duke shkuar përballë portierit Bushi por ndalet nga ky i fundit.
Me rezultatin minimal 1-0 Pogradeci arrin të marrë tre pikë dhe momentalisht renditet në vend të gjashtë në tabelë. Ndeshja e rradhës është jashtë fushe kundër Kastriotit të Krujës.
✏️REDI DANDALLAKU