Nga Iris Rezhda/ Televizioni “Fax News”, prej dy vitesh nuk paguan gazetarët e rretheve!!!
Trajtimi financiar dhe jo vetëm, i gazetarëve nga mediat ku janë të punësuar, është një problematikë që sa vjen dhe merr përmasa më të mëdha. Si gazetare, që prej gati 10 vitesh mbuloj qarkun e Korçës, e konsideroj të papranueshme të mos paguhem prej 2 vitesh nga “Fax News”, ku deri sot kam qenë e punësuar.
Sa e vështirë dhe sa kosto financiare ka të jesh korrespondent i mediave kombëtare, e dinë vetëm ata kolegë që ndiejnë nën lëkurë atë që ndiej unë.
Punë pa orar, ditën dhe natën, pa pushime javore dhe vjetore. Mos të zëntë halli, se edhe në hall, e gjëmë të jesh, përsëri do shkosh në ngjarje dhe do dalësh edhe live. Dhe mund të bësh qindra km rrugë, në terren ku mund të lesh edhe kokën, në shi, borë dhe ngricë, për një lajm, pa të mbuluar punëdhënësi as kostos e karburantit, se për dieta as që bëhet fjalë.
E megjithë vendosmërinë dhe pasionin për profesionin, që më shtyn dhe më jep forcë për të mos u dorëzuar dhe tërhequr, vjen një kohë, një ditë, një moment, kur punëdhënësi, ai që më detyrohet rrogën e papaguar të dy viteve, të më heqë nga puna me një klik pa asnjë njoftim paraprak dhe madje duke më bërë edhe block. Që të jemi të qartë, nga një punë të cilën për shkak të katandisjes së tregut mediatik, kam qenë e detyruar ta bëj vullnetarisht, deri sot.
Edhe pse një fakt i njohur dhe i ditur nga të gjithë, po e them edhe këtë, që kam punuar tek “Fax News” pa kontratë, si dhjetra kolegë të tjerë në Tiranë, por më shumë në rrethe. Por mungesa e kontratës, përgjegjësi direkte kjo ligjore e punëdhënësit, nuk zhbën të drejtën time për të kërkuar deri në fund, me të gjithë instrumentat ligjorë, shpërblimin e punës sime, bërë me dashuri, korrektësi dhe shumë sakrifica.
Të gjitha komunikimet e shkruara me punëdhënësin, do depozitohen si prova bashkë me padinë time në gjykatë.
Ky është momenti që edhe kolegët e tjerë të “Fax News”, të më bashkohen, për ta zgjidhur ligjërisht këtë shkelje të paprecendent të të drejtës të misionarëve të fjalës së lirë, që nuk arrijnë dot të çojnë prej dy vitesh një rrogë në shtëpi!