Ogerta Manastirliu nga Korça:
“Sot jemi në Korçë me rektorin e universitetit dhe kolegun Peleshi, gjithashtu edhe me profesorë të universitetit të Korçës dhe profesorë nga diaspora, ku së bashku, si Ministri e Arsimit dhe Sportit, mbështetur edhe nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, do të prezantojmë planin e transformimit dhe zhvillimit të Universitetit të Korçës. Ky plan është hartuar me kontributin e të gjithë grupit të ekspertëve të angazhuar, të cilët përfshijnë tre prej akademikëve tanë nga diaspora, që kontribuojnë për këtë plan zhvillimor. Ai synon të profilizojë universitetin e Korçës dhe t’i japë një model që do të udhëheqë zhvillimin e universiteteve tona rajonale, duke i bërë më tërheqëse për studentët. Programet e tyre të studimit do të orientohen drejt tregut të punës dhe zhvillimeve rajonale. Universiteti do të jetë një nga projektet tona pilot për të filluar zbatimin e këtij plani transformues, që do të synojë jo vetëm rishikimin e të gjitha programeve të studimit për ciklet bachelor, master dhe doktoraturë, por edhe kalimin drejt një universiteti inteligjent. Universiteti i Korçës do të orientohet drejt teknologjisë dhe zhvillimit bujqësor, pa lënë mënjanë programet e tjera që lidhen me shkencat humane, duke pasur parasysh se këtu kemi qendra që zhvillojnë jo vetëm aktivitete që lidhen me mësuesinë, por edhe në fushën albanologjike dhe elementë të tjerë të rëndësishëm që duam t’i forcojmë. Profilizimi bëhet me synim fuqizimin e universitetit dhe transformimin për të patur studentë që diplomat e tyre do t’i afrojnë më shumë me tregun e punës në një kohë sa më të shpejtë, si dhe për të rritur interesin e tyre, jo vetëm tek të rinjtë e Korçës, por edhe të rajonit e më gjerë. Fokus i profilizimit të Universitetit të Korçës për ta bërë universitet inteligjent do të jetë gjithashtu rritja e investimeve në infrastrukturën e kërkimit shkencor dhe laboratorëve, për të ngritur qendra ekselence që t’i japin Universitetit të Korçës transformimin e nevojshëm për të optimizuar programet e kërkimit shkencor dhe për t’i dhënë më shumë qasje rajonale.”
Sa i takon uljes së numrit të studentëve në programet prioritare që do të përfitonin pagesën sa paga minimale, ministrja u shpreh:
“Sa i përket kuotave të bursave sa paga minimale dhe programeve prioritare, ne jemi të angazhuar që çdo vit të kemi një mbështetje për studentët e programeve prioritare. Këtë vit ka patur një riorganizim të mekanizmit që i përket mbështetjes me bursa sa paga minimale. Do të jenë 100 kuota studimi që janë shpërndarë në të gjithë vendin, si mësuesia, shkencat e natyrës dhe bujqësia. Këto janë kuota të reja për universitetet, mos harrojmë që kemi 210 studentë që përfitojnë bursat sa paga minimale, gjithashtu edhe studentë të ekselencës, të cilët bashkë me kuotat e reja të bursave do të shkojnë në 400 studentë.”
Lidhur me ndërkombëtarizimin e Universitetit të Korçës, Manastirliu theksoi:
“Ndërkombëtarizimi është pjesë e programit të transformimit dhe planit zhvillimor të Universitetit të Korçës, ku programet e përbashkëta të studimit, diplomat dyfishe dhe hapja e kampuseve të universiteteve të tjera janë një prej objektivave tona. Ndaj ndërkombëtarizimi është pjesë e procesit të profilizimit, duke synuar jo vetëm krijimin e mundësisë për hapjen e programeve të huaja dhe diplomat dyfishe, por edhe sjelljen e pedagogëve që janë të huaj ose nga diaspora për të qenë lektorë dhe, pse jo, për të drejtuar edhe departamente të ndryshme të universitetit.”