Në lojën e rretës janë zhvilluar vetëm tre javët e para, por ka ndodhur ajo që nuk pritej dhe besohej nga askush. Para disa ditësh është shkarkuar trainerja e ekipit të Pogradecit në volejboll femra, Mimoza Shahu. Në tre ndeshjet e para liqenorët kanë marrë një fitore dhe kanë pësuar dy humbje. Këtë fakt kemi mundur ta mësojmë nga shkresa që ka mbërritur edhe në Federatën e Volejbollit ku bëhet me dije se “Marëdhëniet me trajneren e ekipit të volejbollit do të zgjidhen duke filluar nga data 02.11. 2024”. Pra duket se janë treguar shumë të kujdesshëm në pjesën e njoftimit 30-të ditë para dhe kështu trajneria do të paguhet edhe këtë muaj. Por ajo që të bën përshtypje lidhet me vazhdimin e mëposhtëm se: “Duke marrë parsysh kontributin shumë të vyer deri më tani, ne propozojmë të ngelet pjesë e Shoqërisë duke drejtuar në Akademinë e Volejbollit Pogradec”.
Pra një punë që ka folur shumë pozitivisht për trajneren Shahu, e cila e ringriti këtë ekip nga zero, doli kampione në kategorinë e parë, zuri vendin e gjashtë sezonin e kaluar dhe tani i vjen njoftimi se është e larguar nga ekipi. I pyetur rreth këtij fakti Mimoza Shahu ka deklaruar: “Unë prisja të zhvilloja me drejtuesit dhe lojtaret një takim mbi humbjen e fundit. Do të zhvillohej një analizë por edhe këtë mundësi nuk ma dhanë. Kam pasur një takim me admistratorin, por jo në zyrë dhe këtë takim nuk e quaj zyrtar dhe më është komunikuar që nuk do të drejtoj më ekipin. Të pësosh një ose dy humbje dhe të largohesh kështu, vërtet është për të ardhur keq. E them sinqerish në qoftë se unë do të isha e keqja e ekipit dhe mos kishim rezulatet, do të jepja vetë dorëheqje në fundt të fazës. Por nuk gjykohet një trajner me dy ose tre ndeshje”.
Por nga burime të sigurta është mësuar se drejtuesit kanë pasur një takim vetëm me lojtaret e huaja dhe jo me të gjithë ekipin dhe më pas kanë marrë këtë vendim, që aspak nuk është korrekt nga ana profesionale. Urojmë që drejtuesit të rishikojnë këtë vendim që kanë marrë dhe me gjakftohtësi të bëjnë më të mirën e mundshme. Istitucioni i trajnerit duhet respektuar dhe njëkohësisht duhet kuptuar drejt, sesa e vështirë është dhe sa përkushtim duhet.
REDAKTUAR nga:
“KORÇA BOOM