Nga Redi Dandallaku: Pogradeci fiton me vështirësi, i falet golit të kroatit Panadiç / Zëvendësimet japin rezultat
Pogradeci luajti ditën e shtunë kundër Erzenit të Shijakut në stadiumin e vet dhe përballë publikut vendas, ndeshje të cilën e fitoi me rezultatin minimal 1-0 dhe ku hasi shumë vështirësi deri në gjetjen e golit në minutat shtesë të pjesës së dytë. Kjo fitore mund të quhet si një frymëmarrje e përkohshme pas disa rezultateve jo të mira në javët e para.
Pogradecarët vinin më të avantazhuar padyshim, pasi së pari luanin në fushën e tyre, përballë publikut dhe kundër një skuadre si Erzeni me 0 pikë dhe 0 gola të shënuar në 4 ndeshje. Por edhe presioni dukej se ishte i lartë pasi rezultatet e javëve të para duken se kanë ndikuar në mentalitet dhe shprehjen në fushën e blertë.
Liqenorët e nisën me sulme që prej fillimit dhe tentonin kalimet në krah me Shkulakun, Pengun e Kazim të cilët përpiqeshin të furnizonin Panadiç e Topllarin me topa por përveç një rasti të Topllarit mbrojtja e miqve tregoi nivel të lartë dhe bllokoi sulmet.
Në të dytën ishin sërish vendësit ku zëvendësimet e trajnerit rezultuan efektive, dhe pas aktivizimit të Kasmollarit i cili me rikuperimet e topave dhe pasimet e sakta në krah për Kastratin po të aktivizuar në të dytën i cili vazhdimisht hidhte krosime në zonë dhe Peqinin që me forcën e tij kërkonte hyrjet në zonë, loja pati rritje dhe u godit edhe shtylla kundërshtare. Një pjesë të dytë të mirë zhvilluan edhe mbrojtësit Karabatiç e Vagner, Danladi që lufton fort gjithmonë dhe Raza në qendër, i cili përveç mushkërive që tregoi në këtë ndeshje, largoi edhe një gol të sigurt kur sfera e goditur nga një sulmues i Erzenit kaloi portierin Nikoloski dhe u desh ndërhyrja e mesfushorit për ta larguar në limite.
Ndërkohë Erzeni dukej se nuk mendoi vetëm për të ruajtur barazimin por u shfaq kërcënues herë pas here dhe topat e gjatë të portierit shkonin tek argjentinasi Migone i cili e vuri në vështirësi prapavijën liqenore së bashku me Radovanin dhe sulmuesin shtatlartë Akibu. Ndoshta ky ishte edhe një gabim taktik ku mbase trajneri i miqve shpresoi për një gol dhe nuk u kënaq me barazimin e për këtë kërkoi sulme të shpejta dhe kapje në befasi të kundërsharit mesa dukej.
Në anën tjetër britmat e kapitenit Pere dhe kërkesat e tij drejtuar shokëve për shënimin e golit vazhdonin, Pengu mundohej mesa mundej të çante në krahun e djathtë edhe pse e mundonte një problem në këmbë. Danladi dhe Raza mbanin me forcë mesfushën, ndërsa Kasmollari ishte brilant në rikuperimet dhe pasimet e tij.
Por duhet të vinte minuta e 93-të që një top i hedhur në zonën e mbrojtjes shijakase të mos ndalohej dot nga Isteri dhe ishte Panadiç ai që shfrytëzoi rastin duke rrëmbyer topin dhe duke e çuar në rrjetë.
Vetëm pak sekonda pas golit gjyqtari sinjalizoi përfundimin e ndeshjes.
Pogradeci arriti të marrë 3 pikë të vlefshme por që duhet thënë se goli u arrit me shumë vështirësi, loja nuk është akoma bindëse ku le shumë për të dëshiruar, edhe kundër një kundërshtari si Erzeni, të cilët ndodhen të fundit në renditje dhe me lojtarë tepër të rinj në moshë e pa përvojë. Por edhe për shijakasit duhet theksuar se pavarësisht moshës së lojtarëve, ata kishin potencial dhe u treguan bindës.
Reagimi i tifozëve vazhdon të ketë pakënaqësi pasi një pjesë shfaqën zhgënjim dhe rreth minutës së 80-të pati largim të tyre nga tribuna qëndrore dhe nga dy anësoret e tribunës.
Tre pikët sigutisht që japin shpresë dhe qetësi por vazhdimësia duhet kërkuar.
Duket qartë se liqenorëve i duhet të punojnë për lojën efektive dhe krijimin e rasteve të qarta, ku të shtunën do të provohen në transfertën deliakte të Vorës, ndeshje që do të tregojë shumë për skuadrën pasi Vora është pretendente për ngjitjen dhe skuadra duhet të bindë përballë një kundërshtari i cili mund të konsiderohet rival direkt në rrugën “superligë’.