Presionet dhe kërcënimet që i vijnë herë pas here gazetarëve sportivë nga njerëz të pakulturuar të botës së futbollit, i janë bërë tashmë një pjese të vogël po them të gazetarëve të vërtetë, një përditshmëri, njësoj si buka që hanë! Unë do përballem, dhe as më trembet syri fare!
Gazetar i vërtetë duke iu referuar futbollit, aty ku bëj pjesë edhe unë, është ai që:
-Bën skedën e qartë të një ndeshje futbolli
-Shkruan me objektivitet mbi gjithçka shikon
-S’duhet të ketë aspak dashakeqësi edhe kur ta bëjnë për borxh
-Nuk ka urrejtje drejt trajnerit apo lojtarit dhe nuk del jashtë kornizave
-Nuk vendos gjoba siç po ndodh rëndom sot
-Filtron informacionin për ta bërë sa më të qartë për opinionin sportiv
-Nuk duhet të jetë servil kundrejt një stafi drejtues pasi aty fillon dhe bie era pisllëk dhe jo era gazetari
-Shkruan drejt edhe pse të tjerët mund të mërziten
-Dhe e fundit, ka të drejtën të kritikojë, gjithmonë nëse e ndien se është njohës i fushës
Si gazetar sportiv mendoj se kam bërë më të mirën deri më sot duke i shërbyer qytetit tim, futbolldashësve dhe skuadrës së qytetit e për këtë punë jam paguar nga pronarët me kaçidhe. Sigurisht, gjithmonë ka vend për përmirësim. Nuk besoj se i kam rënë askujt në qafë. Kam thënë të vërtetën, këtë të bëjnë edhe të tjerët dhe mos të frikësohen nga askush!
“Ti shko rrugës së drejtë siç je urdhëruar”.
Nëse dikush tenton t’iu frikësojë, mos u trembni aspak!
Ata të paaftë që problemin nuk e shohin tek vetja dhe gjejnë aludime të kota e mendojnë se presionet apo kërcënimet janë mënyra e duhur unë ju them:
“Pushka top j’u bëftë”!
Kam frikë vetëm të madhin Zot, pres çdo gjë me krahë hapur!

