Mirgen Shamblli, koleksionisti i njohur korçar, ka sjellë së fundmi ekspozitën “Duhani Shqiptar” me plot 80 artikuj që i përkasin periudhës ndërmjet viteve 1930-1990. Pjesë e koleksionit ishin paketat e cigareve, shkrepset, përfshirë edhe legjislacionin e botuar në gazetë ndër vite.
Ndër artikujt më të veçantë është një paketë cigaresh e pahapur me pullën e taksës gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, e cila është pjesë e koleksionit personal të tij.
Koleksioni “Duhani Shqiptar” është ekspozuar për herë të parë në qytetin e Korçës, ndërsa vetë koleksionisti mbetet i hapur që ta prezantojë atë edhe në qytete të tjera.
Koleksionisti dhe filatelisti i njohur korçar mban në fondin e tij personal mbi 40 mijë artikuj të ndryshëm, duke përfshirë qelqin, qeramikën, pullat, dokumentet, fotografitë etj.