Kolonia Ndërkombëtare e Artit Viziv “Pogradeci ‘24” është mbajtur për vitin e 15-të në qytetin e Pogradecit, konkretisht nga data 9 deri më 11 shtator, ku 22 artistë nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi, Poloninë, Anglinë, Irakun, Korenë dhe vende të tjera, u bashkuan në Pogradec për të zhvilluar artin e tyre. Me qytetin liqenor si burim frymëzimi, artistët krijuan piktura të jashtëzakonshme në teknika të ndryshme.
Natyra, ajri dhe njerëzit janë disa nga elementet që frymëzojnë artistët ndërkombëtarë në Pogradec, të cilët gjatë qëndrimit kanë vizituar destinacione turistike dhe historike, sipas organizatorit Saimir Ahmeti. Ndërkohë, ekspozita do të ketë ndalesën e radhës në festivalin ndërkombëtar të “Skampës”, i cili pritet të zhvillohet gjatë muajit tetor.
Mes artistëve të shumtë dhe besnikë të kolonive të piktorëve është dhe piktorja Marjana Goxhabelliu, e cila shpreh emocionet e të pikturuarit në një vend si Pogradeci, duke theksuar se peizazhet që ofron liqeni janë nga më unikët dhe nuk mund të gjenden askund tjetër.
Jola Kitkowska nga Polonia dhe Lina Sami, me origjinë irakiano-angleze, janë dy prej artisteve të cilat janë bërë pjesë e kolonisë së pikturave, të cilat shprehen të impresionuara me atë që kanë gjetur në Pogradec.
Jola Kitkowska: “Është hera ime e parë këtu dhe jam shumë e surprizuar nga sa i bukur është ky vend. Në këtë ekspozitë kam sjellë pikturën e një gruaje sureale, pasi më pëlqen të miksoj realitetin dhe imagjinatën si një botë ëndërrimi. Puna ime shpesh herë përfshin pak realitet dhe pak imagjinatë. Liqeni, malet, natyra këtu në Pogradec janë të mrekullueshme. Zogjtë janë gjithandej dhe ky qytet të jep ndjesinë e paqes dhe qetësisë, që është e mrekullueshme për artistët, pasi këtu mund të gjejnë frymëzim për pikturat. Gjithmonë përdor ngjyra të ndezura, më pëlqen të krijoj një pamje të fortë dhe një paletë të qartë.
Lina Sami “E kam vizituar Shqipërinë që në vitin 2018, pra ka shumë vite që rikthehem çdo vit gjatë periudhës së verës dhe qëndroj këtu. Kam marrë pjesë edhe më parë në këto aktivitete gjatë 6 viteve që kam ardhur në Shqipëri. Gjithashtu, kam pasur një ekspozitë private në Pogradec në vitin 2019, kështu që nuk jam e huaj në këtë qytet. Kam dy piktura të ekspozuara sot, të cilat janë kombinime të rrënjëve të mia dhe artit modern.”
Ekspozita e artistëve ndërkombëtarë do të qëndrojë e hapur për dy javë në qytetin e Pogradecit, duke mirëpritur vendas dhe vizitorë.
