Nga Redi Dandallaku/ Pogradeci zhgënjen totalisht/Humbja e tretë rradhazi në Burrel. Sfumohet objektivi superligë
K.F Pogradeci vazhdon të zhgënjejë në rezultate ku sot ka pësuar humbjen e tretë rradhazi ndaj Burrelit në transfertë me shifrat 2-1. Përveç rezultateve negative dhe humbjes së sotme, kjo skuadër vazhdon të mos prodhojë lojë efiçente ç’ka bën që e ardhmja të duket e zymtë dhe të mos ketë shpresë për përmirësim dhe arritjen e objektivit superligë që presidenca i ka vendosur stafit.
Ndeshja u luajt në orën 16:00 në stadiumin “Liri Ballabani” të Burrelit dhe si pritës e me publikun me vete, matjanët e filluan me sulme që prej fillimit ku pogradecarët mendonin vetëm të mbronin dhe ndoshta të gjenin golin me anën e ndonjë kundërsulmi por që kjo nuk u pa, veçse një mbyllje në mbrojtje.
Vendasit patën rreth 3 raste të pastra në pjesën e parë ku një top të rrezikshëm në zonë e largoi Karabatiç për në këndore e një tjetër u ndalua nga Beqiri, ndërsa rasti tjetër që erdhi nga një goditje brenda zonës përfundoi jashtë. Ndërkohë skuadra e Nikaj pati vetëm një rast të artë në të parën me Panadiç i cili u shërbye mirë nga Beçka por që para portierit Dani nuk arriti ta çojë dot sferën në rrjetë por mbi tranversë.
Me barazim dhe shifrat 0-0 u mbyll pjesa e parë.
Në të dytën ishte po përsëri Burreli i drejtuar nga Ditmar Bicaj që kërkonte golin derisa e arriti atë në minutën e 88-të me një gol me kokë të sulmuesit Ferruku. Pogradecarët nuk u pajtuan aspak me rezultatin dhe kërkuan medoemos barazimin duke nxjerrë edhe mbrojtësin Ivani si sulmues, ku vetëm 2 minuta pas pësimit të golit, me një kombinim Nallbati-Panadiç-Ivani-Panadiç, Ivani arriti që nga krahu i djathtë të japë një kros në zonë për kroatin, i cili kërceu fort dhe goditi me kokë duke shënuar një gol model dhe njëkohësisht barazoi rezultatin për 1-1.
Por matjanët nuk e lanë me aq, edhe ata nuk u pajtuan me barazimin dhe duke qenë se janë një skuadër e fortë në fushën e tyre, vazhduan me sulmet për të arritur tek goli i fitores i cili erdhi në minutat shtesë ku pas goditjes së fortë të Xhakaj nga rreth 20 metra është Beqiri që e ndalon me të dyja duart por fatkeqësisht sfera i shpëton nga duart dhe shkon në rrjetë. I pafat Beqiri pasi në këtë ndeshje bëri edhe disa dalje të mira duke shpëtuar portën.
Pas vërshëllimit të gjyqtarit matjanët shpërthejnë në festë dhe liqenorët duken tepër të zhgënjyer pasi kjo është humbja e tretë rradhazi e për më tepër që nuk mundën të mbajnë as barazim.
Skuadra liqenore vazhdon të mos bindë në lojë, rezultate si dhe po zhgënjen tifozët të cilët presin shumë këtë vit që nga ardhja e presidentit të ri. Edhe faqja e grupimit “Ultras Liqenor” ka reaguar në instagram duke shkruar “Turp”.
Ndërkohë një skuadër si Burreli me një trajner të ri si Ditmar Bicaj dhe me një skuadër pa shumë emra dhe paga normale, vazhdon të ecë drejt suksesve duke kapur vendin e dytë momentalisht, e Pogradeci nga ana tjetër për momentin renditet në vendin e 10-të në tabelë, më saktësisht në zonën e rënies nga kategoria.


