Leonard Trebicka (kryetari i Sindikatës së Pavarur të Arsimit, Korçë):
“Shifrat janë shumë të ulëta. Ju keni shifrat zyrtare, por po them që në gjithë Shqipërinë pothuajse mungojnë 30% e nxënësve, pra 1/3 më pak. Kjo është një shifër shumë alarmante dhe e pritshme, pasi kjo situatë nuk ka ndodhur sot, ka vite dhe vite që ndodh, dhe pasojat do të jenë edhe më të theksuara në vitet e ardhshme. Mungesa e nxënësve do të ndihet gjithnjë e më shumë.
Të gjithë ata që janë larguar nga Shqipëria, sidomos të rinjtë, pasi pas disa vitesh lindin fëmijët jashtë shtetit, jo këtu. Kjo rënie e numrit të lindjeve në Shqipëri, e bashkuar me emigracionin, ka sjellë mungesën e nxënësve në shkollat shqiptare në gjithë territorin e vendit.
Klasat e para e ndiejnë më shumë këtë rënie. Prej dy vitesh kjo po ndihet, dhe gradualisht do të përhapet në të gjitha nivelet e arsimit: nga klasa e parë deri në të pestën, pastaj në gjimnaz, dhe pas disa vitesh kjo rënie do të ndihet edhe në shkollat 9-vjeçare dhe në gjimnazet e qytetit. Aktualisht, rënia ndihet më shumë në ciklin e ulët, dhe në disa shkolla në zonat rurale të Korçës, të cilat janë mbyllur për shkak të largimit masiv të popullsisë.
Kemi informacione që në disa fshatra shkollat janë mbyllur dhe kanë kaluar në shkolla vartëse. Ne si sindikatë kemi arritur që të paktën nga muaji qershor të mos ketë largime masive të mësuesve nga puna, gjë që për ne është e rëndësishme.

