Masat që janë marrë për fillimin e vitit të ri shkollor 2024 – 2025, ishte tema e takimit që organizova sot me drejtoreshën e Drejtorisë Rajonale të Arsimit znj. Vinjola Rota, përfaqësues të bashkive të qarkut dhe ndërmarrjeve të shërbimeve mbështetëse për arsimin dhe kopshtet në çdo bashki, si dhe drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë z. Gjovalin Loka, përfaqêsues të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, në kuadër të zbatimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla.
Diskutuam lidhur me gjendjen e infrastrukturës shkollore, kopshteve e çerdheve (në qytet e në fshat), detyrimet e plotësuara nga NJVV-të para fillimit të sezonit të ri shkollor, nevojat për mirëmbajtje e pajisje, sigurimin e ngrohjes së institucioneve arsimore për periudhën e dimrit, masat për furnizimin me tekste e materiale shkollore, nivelin e dixhitalizimit në shkollat e qarkut, si edhe për nevoja e problematika të ndryshme.
Gjithashtu folëm lidhur me procedurën e ndjekur për regjistrimin e nxënësve, plotësimin e stafeve mësimdhënëse të shkollave, për numrin e tyre krahasuar me vitin e kaluar, si dhe për trajtimin me një vëmendje të veçantë të nxënësve me aftësi ndryshe apo komuniteteve, për mbarëvajtje të kujdesshme ndaj të gjithëve.
Siguria në shkolla ishte një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm që vlerësuam. Nga drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë morëm garanci se edhe këtë sezon në vazhdën e traditës së mirë të krijuar, do të ketë një vëmendje prioritare pranë perimetrit të shkollave nga oficerët e policisë, për të shmangur raste që krijojnë pasiguri për nxënësit dhe shqetësime për prindërit.
Qarku ynë shquhet për një mbarëvajtje cilësore të sezoneve arsimore, por besojmë se duke bërë përpjekjet e nevojshme progresivisht, sezoni i ri shkollor 2024-2025 të jetë akoma edhe më i mirë.