Edhe pas 2 javësh nga takimi i ministres Denaj me fermerët e Maliqit, ku u diskutua problemi i mungesës së tregut për produktet bujqësore, përsëri shihet se nuk ka një zgjidhje për fermerët. Denaj vuri theksin tek formalizimi i ekonomisë bujqësore dhe bashkimi i fermerëve, por edhe pse kanë kaluar disa ditë, duket se kryesisht fermerët e vegjël nuk kanë njohuri të plota mbi këtë rekomandim dhe përsëri nuk ka ndryshuar asgjë përsa i përket tregtarëve, të cilët ende nuk kanë ardhur, ndërsa produkti i tyre është ende nën kosto.
Ata shprehen se zgjidhjet që ofroi Denaj janë për fermerët e mëdhenj, ndërsa për fermerët e vegjël situata do të jetë e njëjtë për shkak të kapaciteteve të pakta.
Xhezmi Malollari është një ndër prodhuesit e kulturës së qepës në fshatin Drithas të Maliqit, por ai shprehet se nuk ka asnjë ndryshim edhe pasi ministria diskutoi me fermerët. Kavaletat me qepë këtë vit janë të rrezikuara të hidhen të kalbura në lum. Ndërsa si zgjidhje sheh vetëm ndërhyrjen e shtetit në treg dhe në taksat e importit.
Zgjidhjet që ofroi ministria i sheh vetëm si alternativa për fermerët e mëdhenj, ndërsa bashkimi me fermerët e tjerë Agim Koldana e konsideron të vështirë. Njësoj si Malollari, edhe Koldana shprehet se nuk ka ndryshuar asgjë për fermerët e Maliqit dhe se çmimet e ulëta dhe nënkosto vijojnë të mbeten të tilla.
Ndryshe shprehet Ermes Tahiri, i cili tha se janë plotësisht të painformuar në lidhje me rrugëzgjidhjet që janë sugjeruar fermerëve.
Sipas burimeve nga Drejtoria e Bujqësisë në Maliq, bëhet e ditur se momentalisht ka nisur organizimi në një shoqatë për fermerët kultivues të fasuleve në zonën e Kreshpanjit, ndërsa nuk evidentohen ende iniciativa të tjera për bashkimin e fermerëve të tjerë. Sipas përfaqësuesve të këtij sektori, bashkimi ndihmon kryesisht fermerët e vegjël që në periudhën e kultivimit të produktit dhe deri në bashkimin e prodhimit për shitje. Gjithashtu, burime zyrtare bëjnë të ditur se ende nuk janë ngritur grupe pune në terren nga sektorët bujqësorë apo ministria për të orientuar fermerët në këtë zgjidhje