Nga: Redi Dandallaku
Pogradeci e nis me fitore / Me 10 lojtarë mund Kastriotin 3-1
Pogradeci rikthehet me fitore në kategorinë e parë pas dy vitesh mungesë. Të shtunën liqenorët pritën Kastriotin e Krujës në ndeshjen e parë të sezonit të vlefshme për kategorinë e parë, ku arritën të fitojnë me shifrat 3-1 edhe pse Qeleshi u largua me karton të kuq në minutën e 45′ pas përplasjes me një kundërshtar kur rezultati ishte 1-0.
E nisën në sulm pogradecarët ku tentonin daljet në krah me Pengun dhe Kastratin e gjithashtu topat e gjatë për tek sulmuesit Beçka e Panadiç ku ky i fundit vuri në vështirësi mbtojtjen krutane me shtatlartësië e tij dhe dyluftimet e fituara.
Ishte Panadiç që zhbllokoi rezultatin në të 24-ën kur një top i fituar nga Pengu shkoi tek këmbët e tij dhe kroati që goditi fort nga rreth 14 metra duke mposhtur portierin Puja. Pati reagim të Kastriotit pas pësimit të golit por ishte e dukshme që nuk kishin ide të qarta në fazën sulmuese. Një skuadër që dukej edhe e lodhur pasi seancat stërvitore i filluan vetëm para tre javësh.
45 minutat e para u mbyllën me shifrat 1-0.
Në të dytën Pogradeci i detyruar u mbyll në mbrojtje dhe mendoi të shfrytëzojë kundërsulmet për shkak se ishte me 10 lojtarë. Kjo taktikë rezultoi efektive pasi në të 72-ën Pengu shënoi për 2-0 me ndihmën e Kazim pas një kundësulmi. Kastrioti filloi të luajë topat e gjatë dhe hedhjen e krosave në zonë pasi nuk kishte çfarë të humbiste dhe arriti të ngushtojë rezultatin në 2-1 pas një goli me kokë nga Ajazi në të 76-ën. Situata u komplikua pas këtij goli për liqenorët, por do të mjaftonte një kundërsulm tjetër në të 86-ën ku nigeriani Pius pas një dalje të mirë në krahun e djathtë, goditi fort dhe çoi në delir tifozët duke çuar shifrat në 3-1.
Minutat e fundit folën në favor të miqve, por që krosimet në zonë linin për të dëshiruar, kjo edhe për meritë të kapitenit Pere që largonte topat nga zona, mbylljeve të sakta që bënte Pengu dhe një pritjeje spektakolare e portierit Beqiri që zëvendësoi Baçin e dëmtuar.
Javën tjetër Pogradeci udhëton drejt Lushnjës për t’u ndeshur në javën e dytë me lagunarët në një ndeshje e cila në letër konsiderohet mjaft e fortë.
POGRADECI: Baçi, Ivani, Pere, Vagner, Pengu, Qeleshi, Danladi, Pius, Kastrati, Beçka, Panadiç.
U aktivizuan: Kazim, Beqiri, Karabatiç, Raza, Topllari.

