Nga: Redi Dandallaku
Pogradeci – Kastrioti sot në orën 17:00 / Hyrja falas në stadium
Kategoria e parë e futbollit do të hapë sot siparin për sezonin 2024-25 ku do të luhen 6 ndeshjet e para.
Pogradecarët ndeshjen e parë do ta luajnë në fushën e tyre sot në orën 17:00 në stadiumin “Gjorgji Kyçyku” kundër Kastriotit të Krujës dhe hyrja në stadium do të jetë falas.
Në këtë sezon pogradecarët vijnë me president të ri dhe si një klub i privatizuar 100%. Blerjet e lojtarëve kanë qenë të shumta por pa emra “big” ose thënë ndryshe emra të konfirmuar në kategorinë superiore. Stafi është po i njëjti i dy sezoneve më parë me në krye Samuel Nikaj dhe ndihmësit e tij që kanë një objektiv të vështirë të vendosur nga presidenti Lilo, kalimin në superiore.
Nga ana tjetër krutanët janë një skuadër që ka bërë mirë vitet e fundit në futbollin shqiptar dhe kanë qenë shpesh pjesë e superligës. Këtë sezon ata vijnë me trajnerin e ri Dorian Bubeqi dhe me një skuadër ndryshe nga sezoni i kaluar ku edhe afrimet por edhe largimet kanë qenë të shumta. Sa i përket afrimeve ata kanë marrë në skuadër emra të njohur si Puja, Krasniqi, Ymeri, Berisha e Ajazi. Gjithashtu kanë rinovuar edhe për këtë sezon Zhivanaj, Musaj, Kuka, Hoxha dhe goleadori Kapllani.
Liqenorët kanë bërë mirë në miqësoret e zhvilluara para startit të kampionatit ku kanë arritur rezultate të befasishme por ky kundër krutanëve është testi i parë zyrtar dhe klima nuk është e njëjtë me atë të miqësoreve. Në ndeshjet e para gjithmonë ka befasi rezultatesh dhe skuadrat nuk e njohin mira njëra-tjetrën por as veten e tyre.
Gjithësesi sot në qytetin liqenor pritet të zhvillohet një sfidë e fortë pasi përballen dy skuadra të cilat kanë histori në kategorinë e parë ku gjithmonë kanë patur synime për më lart dhe që kanë zhvilluar gjithmonë ndeshje të nivelit të lartë.
Pogradeci pritet ta nisë sot me këtë formacion:
Baçi, Pere, Ivani, Vagner, Pengu, Danlandi, Cyprian, Kazim, Kastrati, Beçka, Panadiç.

