Burimi: Shqiptarja.com
Një tender me vlerë 2.4 milionë euro është hapur nga AKSHI, për nevoja të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për ngritjen e sistemit të analizës dhe procesimit të të dhënave të fermave sipas kontabilitetit të fermave (FADN-së).
Investimi për ngritjen e këtij sistemi thuhet në dokumentet e tenderit do të mbulohet me fonde të buxhetit të shtetit, që janë të përcaktuara në buxhetin e vetë ministrisë.
Pra të gjithë fermerët e vendit që kanë një nipt, do të regjistrohen në këtë sistem dhe do të raportojnë mbi performancën e tyre, që nga vlera e prodhimit, stoqet, shitjet, kostot apo subvencionet.
Sipas sqarimeve një masë e tillë për të ngritur një sistem është e domosdoshme për të pasur të dhëna të sakta mbi fermat, pasi përmes informacionit të marrë do të mund të hartohen edhe politika për të mbështetur fermerët.
Të gjitha kompanitë e interesuara do të kenë afat deri më 23 shtator për të marrë pjesë në garë, dhe pas shpalljes së fituesit, kompania do të ketë në dispozicion 9 muaj kohë për të implementuar sistemin, dhe 24 muaj për mirëmbajtjen e tij nga nënshkrimi i kontratës.

